Site icon Telegrafi

Qeveria ka ndarë mjete shtesë për zgjedhjet e parakohshme

Foto: Arkiv

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës me kërkesë të kryeministrit Avdullah Hoti, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, ka mbajtur mbledhje korresponduese\elektronike, mbledhjen e 56-të me radhë, në të cilën ka miratuar ndarjen e mjeteve shtesë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme me 14 shkurt 2021.

Në komunikatën thuhet se Qeveria ka aprovuar kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për alokim të parakohshëm në të gjitha kategoritë e shpenzimeve me qëllim të organizimit dhe mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 165 mijë e 850 euro, përcjell Telegrafi.

Kjo ndarje bëhet sipas kërkesës së datës 08 janar 2021, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa mjetet e ndara do të merren nga kategoria buxhetore e Shpenzimeve të Paparashikuara.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me Ligjin e Buxhetit për vitin 2021, ka të ndara në programin e zgjedhjeve shumën prej 8 milionë e 51 mijë e 575 euro, të cilat mund të përdoren për përmbushjen e këtij obligimi.

Në përputhje me këtë vendim, puna jashtë orarit të rregullt për punonjësit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kalkulohet dhe paguhet sipas legjislacionit në fuqi, nga ndarjet aktuale buxhetore në kategorinë paga dhe shtesa. /Telegrafi/

Exit mobile version