Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka reaguar pas protestave të kamionistëve, të cilët kërkojnë shfuqizimin e dekretit për rritjen e akcizës së naftës dhe vendosje të tatimit progresiv.
Nga Qeveria thonë se e mbështesin të drejtën demokratike për protesta, duke shtuar se rritja e akcizës së naftës nuk do të shkaktojë asnjë shok të çmimeve, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut respekton të drejtën demokratike të të gjithë qytetarëve për të protestuar në vend, por informon publikun se çmimi i akcizës së naftës nuk ka shkaktuar ndonjë tronditje të çmimeve, përkundrazi, ne kemi çmimin më të ulët të naftës në rajon dhe çmimin më të ulët në 10 vjet”.
“Të gjitha fondet nga rritja e akcizës së naftës shkojnë në Buxhetin e shtetit për trajtimin e koronavirusit, për financimin e masave për të mbështetur ekonominë dhe për masat sociale për të mbështetur qytetarët”, thonë nga Qeveria e Maqedonisë.
Ata shtojnë se çimi i akcizës përcaktohet në bazë të analizave që kanë treguar se ndryshimi i çmimit është i parëndësishëm në krahasim me rënien e çmimeve të naftës nga janari deri tani.
Ndryshe, sot kamionistët (transportuesit) protestuan duke bllokuar disa rrugë, ndërsa kërkojnë heqje të dekretit për rritjen e akcizës së naftës, si dhe vendosje të tatimit progresiv./Telegrafi/