Telegrafi

Qeveria i hapi rrugë privatizimit të KEK-ut

07 dhjetor 2009- Privatizimi i distribucionit dhe shprendarjes së KEK-ut, do të shkojë në interes të gjithë qytetarëve të Kosovës, në përmirësimin e furnizimit me energji elektrike dhe zhvillimit ekonomik në vend.

Këto komente u bënë në takimin e parë të Grupit Ndërministror për ndërmarrjet publike, i cili kishte për qëllim fillimin e procesit të konsultimeve për procesin e privatizimit apo formave tjera të pjesëmarrjes së sektorit privat, në distribucionin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike në Kosovë

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaqi tha se me këtë dëshmohet përkushtimi i pa lëkundur i Qeverisë, ndaj pjesëmarrjes së sektorit privat në sektorin e energjisë, ku demonstrohet, përkrahja e vazhdueshme e saj për një privatizim të suksesshëm.

Qëllimi i Qeverisë, sipas tij është sigurimi i energjisë elektrike, që është parakusht kryesor për zhvillimin ekonomik të Kosovës. “Bashkë me partnerët tanë, me komunitetin e donatorëve, kemi arritur progres të dukshëm në krijim e kornizës ligjore dhe rregullatore.

Ne besojmë se investuesit në sektorin e energjisë dhe në sektorët tjera, do të shohin një klimë të favorshme për të investuar”, tha Thaqi. Ai po ashtu theksoi se tri ligjet e energjisë të cilat janë miratuar, janë duke u shqyrtuar për të siguruar pajtueshmërinë me direktivat e reja. Sipas tij Projekti “Kosova e re”, do të siguroi energji të mjaftueshme për Kosovën dhe do të ketë potencial për ndërtimin e termocentraleve tjera.

Ai po ashtu tha se beson se sektori i energjisë mund të jetë atraktiv për kompanitë, të cilat tani më shprehur interesim në projektet e kaluara dhe në këto të tanishmet.

“Ne do t’i mbrojmë interesat e qytetarëve të Kosovës, do të sigurojmë që çmimet e energjisë të jenë të lira”, pohoi ai. Me hapjen e tregut energjetik në aspekt të furnizimit, sipas tij të gjithë qytetarët e Kosovës, do të jenë në gjendje të zgjedhin furnizuesin e tyre në bazë të çmimeve konkurruese. Ai tha se Qeveria e Kosovës, ka përkrahur reformat të cilat janë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe do të vazhdojë, të punojë me partnerë të shumtë, në ndërtimin e institucioneve dhe kornizave që mbështesin një treg të lirë dhe transparent.

“ Pjesëmarrja e sektorit privat në rrjetin e shpërndarjes dhe shitjes në KEK, pritet të shtoi faturimet dhe inkasimet, të zvogëlojë humbjet e energjisë dhe të përmirësojë sigurim të furnizimit. Sfida është reale, por ne besojmë në sukses”, është shprehur kryeministri Thaqi.

Ndërsa Ahmet Shala., ministër i ekonomisë dhe Financave tha se procesi i privatizimit të distribucionit dhe shprendarjes së kek, do të shkojë në interes të gjithë qytetarëve të Kosovës, në përmirësimin e energjisë elektrike dhe zhvillimit ekonomik në përgjithësi.

Komiteti i privatizimit, sipas tij, ka për qëllim të krijojë një grup të fokusuar në përcjelljen e procesit të privatizimit. Ai tha ky komitet, do të mbikëqyr dhe do të raportojë Qeverisë, për hapat e nevojshëm, të arriturat dhe për sfidat e saj. Këshilltari i transaksionit IFC, sipas Shalës ka një reputacion botëror dhe ka një përvojë jashtëzakonisht të fuqishme, sidomos në këtë sferë

“Jemi të lumtur që kemi arritur së bashku me ta dhe përfaqësuesit e sektorit të energjisë, të fokusojmë të gjithë energjinë dhe përvojën e mbledhur, në mënyrë që procesi të ecë sa më mirë përpara”, ka thënë Shala.

Qeveria e vendit, sipas tij është e përkushtuar që të joshë pjesëmarrjen e sektorit privat, përmes këtij procesi tenderues, i cili është plotësisht transparent dhe sipas praktikave më të mira ndërkombëtare. “Të gjithë investitorët, përkatësisht ofertuesit, do të trajtohen në mënyrë të barabartë, ndërsa procesi do të tenderohet ndërkombëtarisht”, tha ai.

Formula përfundimtare, sipas tij do të jetë e bazuar në çmim dhe në potencialin e investimeve. Sfidë dhe objektivë e qeverisë, sipas Shalës ka qenë që të ndalen subvencionet, të cilat kanë qenë deri më tani dedikuar kek-ut dhe ndërmarrjeve publike.