Telegrafi

Qeveria: Hetime deri në fund “Albanian Airlines”

Edhe pse kanë kaluar më shumë se 24 orë, ende nuk dihet ekzaktësisht se cili ishte shkaku i devijimit të destinacionit nga Bolonja për në Bratislavë të Sllovakisë.

Vet “Albanian Airlines” pretendon se kishte kontraktuar prej tre muajsh avionë të kompanisë “Air Slovakia” dhe se nuk ka pasur probleme me shlyerjen e detyrimeve. Deri tani dy janë shkaqet e incidentit: defekti teknik në avion dhe protesta e pilotëve për rrogat e prapambetura prej tre muajsh.

Sa i takon situatës, Drejtoria e Aviacionit Civil deklaroi se do t’i shkonte deri në fund hetimeve për të zbardhur çështjen dhe marrjen e masave.

“Më duhet të sqaroj se ajo që ka ndodhur mbrëmë (parmbrëmë) me avionin dhe ekuipazhin e kompanisë ‘Air Slovakia’, të kontraktuar nga ana e kompanisë ‘Albanian Airlines’, është një rast mjaft i rëndë në historinë e aviacionit civil shqiptar dhe atë ndërkombëtar”, deklaroi drejtori i Aviacionit Civil, Ervin Mazniku. Problemet me kompaninë “Albanian Airlines” kanë qenë të shpeshta dhe, në disa raste, ka qenë objekt inspektimi i strukturave shtetërore shqiptare. Por, kësaj here, duket se shoqëria, tashmë pronë e azerbajxhanasve, nuk do t’ia kalojë kollaj.

“Dua t’ju siguroj se Drejtoria e Aviacionit Civil Shqiptar do t’i shkojë deri në fund hetimit të këtij incidenti të rëndë dhe do të përdorë fuqinë që i jep ligji për garantimin e të drejtave të pasagjerëve edhe në të ardhmen”, theksoi Mazniku. Ndërkaq, DPAC do të njoftojë për këtë incident organet kompetente të Komunitetit Europian, përgjegjëse për sigurinë në fluturim. (gazeta shqip)