Pak kohë pasi e mori postin e kryeministrit, Ramush Haradinaj e vendosi firmën e tij në një vendim që do ta përcaktoj fatin e kompleksit turistik “Brezovica”.
Vendimi i datës 22 shtator, një kopje të te cilit e ka siguruar Gazeta Fjala, ia heq “Brezovicës” statusin e zonës me interes publik, si pasojë e dështimit të qeverisë së kaluar për të realizuar investime milionëshe sipas partneritetit publiko-privat.
Por, lidhur me këtë janë ngritur dyshime për një marrëveshje të mundshme mes Qeverisë së Kosovës dhe Listës Serbe e cila deri më tani ishte angazhuar maksimalisht, që të stopoj dhe prishë procesin e privatizimit të resorit turistik të Brezovicës.
Ndërkaq, askush nga kryeministria për më shumë se një javë nuk ka dhënë përgjigje për arsyet e heqjes dorë nga plani për zhvillimin e kësaj qendre.
Shpallja zonë me interes publik para dy vitesh nga Qeveria e kaluar është bërë me qëllim të shpronësimeve të nevojshme, për ti hapur rrugë investitorit privat për investime në Brezovicë.
Megjithatë në mungesë të një plani B nga qeveria e kaluar, por edhe kësaj të tanishmes, ekzekutivi njëherë përnjëherë ka hequr krejtësisht dorë nga privatizimi.
“Anulohet vendimi përfundimtar Nr. 10/50 datë 23.09.2015 për interes publik i pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimi i Qendrës Turistike Brezovica”, thuhet në vendimin e kryeministrit, një kopje të te cilit e ka siguruar Gazeta Fjala.
Zonat që preken nga ky vendim e të cilave u është hequr statusi i zonës me interes publik janë Zona kadastrale Vërbeshtica, Berofc II, Jazhincë, Gotovusha dhe Shtëprcë të Komunës së Shtëprcës.
Në vitin 2016 Qeveria e pati zgjedhur ofertën e konzorciumit francez “MDP Consulting – Compagnie des Alpes”, por në fund kjo nuk arriti të sigurojë 163 milionë euro për projektin e Brezovicës, prej 400 milionëve sa parashihej ti investojë.
Pas dështimit të konzorciumit “MDP Consulting – Compagnie des Alpes”, ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami pati thënë për Gazetën Fjala, se projekti për Brezovicën do të zhvillohet.
“Ka përfunduar ky proces i prokurimit, mirëpo projekti është i gatshëm dhe Qeveria e Republikës së Kosovës do të marrë të gjitha masat për ta realizuar projektin”, pati thënë ajo.
Bajrami, tregonte aso kohe, se janë duke diskutuar për një plan B. Por ky plan nuk u realizuar kurrë. “Nuk kemi emra të kompanive sot, por natyrisht se do të bëjmë zgjidhje. Nuk e dimë ende se a do të investohet me para të buxhetit të Kosovës. Këto janë vendime të Qeverisë”, kishte thënë Bajrami.
Tash kur nuk është më ministre, por në cilësinë e deputetes së Kuvendit të Kosovës, Bajrami e ka komentuar këtë vendim të kryeministrit Hardianaj.
Ajo e ka përshëndetur vendimin e Haradinajt për t’ia hequr Brezovicës statusin e zonës me interes publik, për shkak së afati i paraparë me vendimin e kaluar ka qenë dy vite, kohë kjo që është dashur të kryhen edhe shpronësimet e nevojshme, për ti hapur rrugë investitorit privat.
Megjithatë, meqë gjithçka dështoi, Bajrami tash thotë se marrja e këtij vendimi është i arsyeshëm. “Jam në dijeni për vendimin e kryeministrit për Brezovicën. Mendoj që është vendim i qëlluar pasi edhe unë sa kam qenë ministrie pata bo kërkesë, sepse vendimi i kaluar me u shpall zonë me interes të veçantë ka qenë në afat prej dy vitesh dhe ka pasur të bëjë me fillimin e shpronësimit. Por meqë investitori nuk erdhi, është dashur të anulohet kjo, sepse ka mundur dikush me na padit”, ka thënë ish-ministrja Bajrami, tash deputete e Kuvendit të Kosovës.
Megjithëkëtë duket se vizion të qartë se çka do të ndodh me Brezovicën nuk ka as Qeveria nën drejtimin e Ramush Haradinajt.
Në Planin e Qeverisë së Kosovës për katër vitet e ardhshme, nuk ka asgjë konkrete për Brezovicen. Aty flitet vetëm sipërfaqësisht dhe në terma të përgjithshëm. “Rëndësi të veçantë do të kenë politikat zhvillimore për turizmin rural dhe agro-turizmin; si dhe zhvillimin e resorit turistik multi-funksional “Brezovica”, është hapësira që i është kushtuar Brezovicës, në këtë plan. /Gazeta Fjala//Telegrafi/