Telegrafi

Qeveria gjermane është e gatshme ta njohë pavarësinë e Kosovës

Radio gjermane ka mësuar nga burime të besueshme se vendimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës në Berlin tashmë është marrë, por për shkak të negociatave aktuale nuk është shpallur akoma.

Sipas informacioneve, Gjermania është e gatshme të njohë pavarësinë e Kosovës menjëherë pasi këtë ta kenë bërë edhe SHBA-të.

Sipas të njëjtave burime, NATO nuk llogarit se mund të ndodhë ndonjë konflikt ushtarak, por siç thuhet më tej, "janë të mundshme aktet e dhunës të grupeve të pakicës serbe në Kosovë". /qik/

 

Demanti zyrtar gjerman

Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë ka mohuar raportimet sipas të cilave qeveria në Berlin tashmë ka marrë vendimin për njohje të njëanshme të pavarësisë së Kosovës, njofton Evropa e Lirë.

Zëdhënësja e ministrisë së jashtme gjermane ka thënë se Gjermania në tërësi mbështet procesin negociator të udhëhequr nga treshja. Duke iu referuar burimeve të besueshme radioja gjermane "DLF" ka pohuar se Berlini tashmë ka marrë vendimin për të njohur pavarësinë e Kosovës nëse ajo shpallet pas 10 dhjetorit.

"Për shkak të procesit vijues negociator ky vendim nuk është bërë publiik", transmetoi radioja gjermane.