Banorëve të Francës iu është kërkuar të mos përqafohen kur takohen, si përpjekje që të ndalohet përhapja e coronavirusit.
Ministri i shëndetësisë, Olivier Veran u ka bërë thirrje njerëzve të shmangin praktikën e puthjes ‘la bise’, kur njerëzit përqafohen në dy faqet, kur përshëndeten gjatë takimeve, transmeton Telegrafi.
“Rekomandohet shmangia e kontaktit fizik në masë të madhe, përfshirë edhe puthjet la bise. Virusi po qarkullon në territorin tonë dhe ne duhet ta ndalojmë përhapjen e tij”, ka thënë Veran.
Në një konferencë për medie, Veran bëri të ditur se në Francë janë 73 të sëmurë me coronavirus, prej të cilëve 59 janë duke u trajtuar në spital. Deri më tani, nga kjo sëmundje në Francë kanë vdekur dy persona.
Franca reagon ndaj emergjencave në tri faza, ndërsa frika nga coronavirusi ka bërë që ky shtet të hyjë në fazën e dytë. Kjo përfshinë ndalimin e përkohshëm e tubimeve të njerëzve, në organizime ku mund të mblidhen mbi 5,000 njerëz.
Vendimi i ndalimit të këtyre tubimeve, ka bërë që të mos zhvillohet sot një maratonë në Paris, si dhe një organizim në një bregdet të Kanës. /Telegrafi/