Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të mërkurën ka aprovuar propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë për zëvendësimin e përbërjes së Bordit Drejtues të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, që do të jetë edhe pjesë e Bordit, ka thënë se zëvendësimi i Bordit është në përputhje me ligjin.
Bordi i ri i fondit të sigurimeve shëndetësore do të ketë shtatë anëtarë.
Përveç Vitisë, në Bord janë edhe Hekuran Nikçi (përfaqësues nga Ministria e Financave), Besnik Fetahu (po ashtu nga Ministria e Financave), Kastriot Meça (përfaqësues Oda e Profesionistëve Shëndetësorë), Ardian Shefkiu (përfaqësues nga Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës), Izet Sadiku (Asociacioni i Komunave të Kosovës) dhe Afrim Maliqi (Shoqata e Pacientëve).
Emërimi u bë me të gjitha votat pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Bordi aktual ishte në detyrë nga korriku i vitit të shkuar. Bordi drejtues i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore përbëhej nga Dafina Gexha-Bunjaku nga Ministria e Shëndetësisë, Ahmet Ismaili e Klit Shala nga Ministria e Financave, Kastriot Meqa nga Oda e Mjekëve, Agreta Gashi nga SHSKUK, Fahri Shabani nga Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe Muhamedali Kodra nga Shoqata e Pacientëve. /Telegrafi/