Qeveria e Kosovës ka emëruar Bordin e përkohshëm të drejtorëve të ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës.
Sipas komunikatës për medie, përbërja e këtij bordi është si vijon: Mehmet Berisha, kryesues, Kushtrim Krasniqi, anëtar, Teki Shala, anëtar, Blerim Shehu, anëtar.
“Me kërkesë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti dhe në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen korresponduese (mbledhje elektronike), të 16-ën me radhë, në të cilën ka shqyrtuar dhe ka miratuar vendimin për emërimin e Bordit të përkohshëm të drejtorëve të Ndërmarrjes Publike “Telekomi i Kosovës Sh. A”, i cili do të përbëhet nga: Mehmet Berisha, kryesues, Kushtrim Krasniqi, anëtar, Teki Shala, anëtar, Blerim Shehu, anëtar”, thuhet në komunikatë.
“Emërimi i këtij bordi është bërë në përputhje me legjislacionin në fuqi për ndërmarrjet publike dhe pas dorëheqjes së Bordit të përkohshëm të kësaj ndërmarrjeje. Ky bord i përkohshëm do të shërbejë në cilësi të Bordit të drejtorëve derisa të zgjedhet Bordi i përhershëm”, thuhet në komunikatë.
Disa ditë më parë, Bordi i Përkohshëm i Telekomit të Kosovës ka dhënë dorëheqje, pasi përmbaruesi ka tërhequr nga xhirollogaria e kësaj ndërmarrjeje të gjitha mjetet që posedonte.
Bordi dorëheqjen e ka paraqitur përmes një letre dërguar kryeministrit Avdullah Hoti dhe ministrit të Ekonomisë, Blerim Kuçi.
“Na lejoni të ju njoftojmë se ne anëtarët e Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve: Genc Rraci, Naim Maloku, Lule Ahmedi dhe Hekuran Nikqi e paraqesim dorëheqjen tonë të parevokueshme”, thuhet në letër, përcjell Telegrafi.
Kujtojmë se në muajin mars, ish-qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti kishte emëruar bordin e ri. /Telegrafi/