Site icon Telegrafi

Qeveria emëroi kundërligjshëm anëtarët e bordeve të ndërmarrjeve publike (Dokument)

Emërimi i një numri të madh të Drejtorëve në Bordet e Ndërmarrjeve Publike (NP) nga ana e Qeverisë është bërë në kundërshtim me dispozitat e Ligjit të Ndërmarrjeve Publike.

Kështu ka vlerësuar Agjencia Kundër Korrupsion (AKK), e cila ka lëshuar një opinion rreth emërimit të anëtarëve të Drejtorëve nëpër NP, shkruan ORAinfo.

AKK sipas detyrës zyrtare ka filluar procedurën e hetimeve paraprake lidhur me emërimin e një numri të madh të Drejtorëve në Bordet e Ndërmarrjeve Publike (NP) në kundërshtim me dispozitat e Ligjit të Ndërmarrjeve Publike.

“Gjatë zhvillimeve të hetimeve paraprake si dhe ekzaminimit të dokumentacionit përkatës të siguruara nga Zyra e Kryeministrit , analiza e bërë nga grupi i OJQ-ve, si dhe analiza e bazës ligjore në fuqi që ka të bëjë me emërimet në Bordet e NP, ka vërejtur se për drejtor të shumë Ndërmarrjeve Publike Qendrore (NPQ) janë emëruar persona të cilët bazuar në dispozitat e ligjit për NP nuk mund të ushtrojnë një funksion të tillë”, thuhet në opinionin AKK-së.

Agjencia Kundër Korrupsionit ka vlerësuar se komisionet Rekomanduese të caktuara nga Sekretari i Përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit, për anëtarë (drejtor) të Bordeve NP kanë rekomanduar persona të cilët nuk i kanë plotësuar kriteret e parapara me dispozitat e Nenit 17, Paragrafi 2, pika k ligji për Ndërmarrjet publike, i plotësuar me Nenin 2 Ligjit Nr. 04/L-111 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike.

“Me rekomandim të këtyre komisioneve të njëjtit persona më pas janë emëruar nga ana e Kryeministrit të Republikës së Kosovës për anëtarë (drejtor) në Bordet e NP”, thuhet në vlerësimet e AKK-së. /ORAinfo/Telegrafi/

Exit mobile version