Site icon Telegrafi

Qeveria edhe kur dënon sulmin me molotov, përmend partneritetin strategjik me SHBA-të dhe vendet tjera mike!

Qeveria e Republikës së Kosovës dënon sulmin me molotov ndaj zyrave të Presidentes së Kosovës në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Ky akt kriminal, i drejtuar kundër institucioneve të Kosovës, është vazhdimësi e sulmeve me bomba molotov mbi Policinë, ndërtesën e Qeverisë, djegies së makinave zyrtare dhe private, si dhe ndaj shtëpisë dhe familjes se Kryeministrit, përgjegjësit e të cilave jo që nuk u ndriçuan dhe nuk u vunë para ligjit, por nuk kishte as reagime publike.

Aktet e tilla, Qeveria e Kosovës i konsideron të rrezikshme për rendin kushtetues dhe për stabilitetin e vendit, prandaj kërkon me ngulm që ato të zbardhen dhe kryesit të përgjigjen para ligjit.

Qeveria e Kosovës, po ashtu, fton të gjithë përfaqësuesit politikë, të cilët në paraqitjet e tyre publike, po përpiqen të arsyetojnë sulmet me molotov mbi shtëpitë private dhe institucionet publike, duke u thirrur në kauza krejt fiktive, që të heqin dorë nga një gjuhë e tillë.

Veprimet e tilla dëmtojnë interesat madhore të qytetarëve të Kosovës, proceset e intensifikuara eurointegruese, fuqizimin e shtetit ligjor dhe perspektivën ekonomike të vendit.

Qeveria e Kosovës fton të gjithë përfaqësuesit politik, të cilët duke u bazuar në kauza jo të qëndrueshme, kanë nxitur dhe promovuar futjen e gjuhës së molotovit dhe mjeteve tjera joligjore në jetën politike dhe publike në Kosovë, që të distancohen nga këto akte dhe të bëhen pjesë e përpjekjeve të qytetarëve dhe të Qeverisë së Kosovës për zhvillim ekonomik, integrime euroatlantike dhe fuqizim të partneritetit strategjik me SHBA-të dhe vendet tjera mike”, thuhet në reagimin e Qeverisë. /Telegrafi/

Exit mobile version