Site icon Telegrafi

Qeveria e Spanjës kërkon që Kuvendi urgjentisht ta miratojë protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO

Qeveria e Spanjës dje e ka miratuar dhe e ka dërguar për miratim në Kuvend, protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

Qeveria e Pedro Sanchezit ka kërkuar nga Kuvendi që protokolli për Maqedoninë e Veriut të miratohet me procedurë urgjente, duke pasur parasysh që Spanja është vendi i fundit që nuk e ka ratifikuar protokollin për Maqedoninë e Veriut.

“Është e nevojshme që ratifikimi të bëhet me procedurë urgjente, në mënyrë që të mos vonohen detyrat e Spanjës si aleate e NATO-së, për pranimin e Maqedonisë së Veriut në Aleancë”, thuhet në arsyetimin e qeverisë spanjolle.

Qeveria në Madrid në qershor të vitit të kaluar e ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për ratifikimin e protokollit, por për shkak të shpërndarjes së Kuvendit dhe zgjedhjeve të reja parlamentare më 10 nëntor, kjo procedurë u ndërpre.

Ndryshe, për 10 muaj protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO e kanë bërë 28 shtete nga 29, ndërsa pranimi si anëtarja e 30 duhet vetëm edhe të bëhet formalitet, pasi vendimi është pranuar nga të gjitha 29 shtetet anëtare./Telegrafi/

Exit mobile version