Telegrafi

Qeveria e Shqipërisë pranon të vërtetën: Në vitin 2008, rritja ekonomike 6 %

Letra e mirëkuptimit është një dokument zyrtar, pjesë e procedurës së marrëdhënies së qeverisë me FMN-së, e cila mban datën 8 Janar, me firmën e kryeministrit Sali Berisha, ministrit të Financave, Ridvan Bode dhe guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.

“Shqipëria ka vazhduar të ruajë stabilitetin makro-ekonomik. Në vitin 2008 inflacioni në vend ishte i ulët dhe rritja ekonomike e kënaqshme, në nivelin rreth 6 për qind. Edhe deficiti buxhetor ishte brenda objektivave të rëna dakord me FMN", theksohet në këtë dokument.

Në letrën, me anë të së cilës autoritetet shqiptare njohin FMN-në me ecurinë e ekonomisë së vendit, qeveria pranon edhe faktin se gjatë këtij viti, treguesit ekonomikë të vendit mund të përkeqësohen, si pasojë e krizës globale.

“Politikat tona në vitin 2009 do të vazhdojnë të kenë si qëllim ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe rritjes së kënaqshme. Ne presim disa përkeqësime të shkaktuara nga ambienti i jashtëm, me rënien e kërkesës së eksporteve, tkurrjen e dërgesave të emigrantëve dhe shtrëngimin e financimeve të huaja”.

Autoritetet më të larta shqiptare i bëjnë të ditur në letër Fondit, se sistemi financiar në vend është në një pozicion të mirë dhe sektori bankar mbetet likuid dhe me fitime.

Por, po në letër, qeveria pranon një tjetër problem të hershëm të ekonomisë, që është sektori energjetik.

“Edhe pse kemi bërë progrese të dukshme, targeti i vendosur për të arritur një normë efektive të arkëtimeve me 62 për qind, u realizua 60 për qind ose 2 pikë më pak deri në fund të Tetorit. Megjithatë, ne po progresojmë drejt privatizimit të OSSH-së dhe shumë shpejt presim që të mbyllim edhe kontratën e shitjes. Synimi është që brenda vitit 2014 të arrijmë të arkëtojmë 82 për qind të energjisë totale që hidhet ne rrjet”,theksohet në letrën që qeveria shqiptare i ka dërguar FMN-së.