Site icon Telegrafi

Qeveria e RMV-së, me raport sipërfaqësor për shpenzimet në Serbi

Qeveria sot publikoi shpenzimet që janë bërë nga zyrtarët gjatë pjesëmarrjes në panairin e verës në Beograd. Raporti është sipërfaqësor por me një shumë të madhe të shpenzimeve prej rreth 400 mijë eurove. Megjithatë në të nuk ka detaje mbi shumën e shpenzuar për akomodimin e zyrtarëve dhe udhëtimin e tyre në Serbi, njofton “Alsat”.

Në raportin e Agjencisë së angazhuar nga Qeveria për shpenzimin e rreth 400 mijë eurove, flitet se gjithë këto para janë shpenzuar për dizajn të logove për pjesëmarrjen e Maqedonisë së Veriut në panairin e Verës, dizajn dhe shtypje të broshurave, tekste, realizim të video klipeve për promovim të ushqimit, verës dhe traditës vendase, promovimin nëpër rrjetet sociale si FB dhe Instagram, organizim të koncerteve dhe një sërë aktivitetesh të tjera. Por për këto punë, në raportin që na u dha ta shqyrtojmë nuk ekzistonin të dhëna detale se sa para janë shpenzuar për çdo punë, por vetëm shuma totale. Ajo që binte në sy është fakti se kompania ka shtypur mbi 100 mijë fllaerë dhe 3 000 broshura të dyja të formatit A5.

Nga Qeveria nuk japin detaje edhe për shpenzimet tjera për pjesëmarrjen e funksionarëve në Beograd, si për udhëtimin, vendosjen nëpër hotele dhe shpenzimet për ushqim.

Në fillim të muajit shtator, Qeveria shpenzoi rreth 400 mijë euro për të marrë pjesë në panairin e Verës në Beograd, i cili organizohej në suaza të “Ballkanit të Hapur”. Nga këto shpenzime, Qeveria ndau më shumë se 70 mijë euro vetëm për organizimin e një mbrëmje maqedonase./Alsat/

Exit mobile version