Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka nisur procedurë për marrjen e shtetësisë së ish politikanit ukrainas Oleksandr Onischenko. Vendimi vjen pas seancës së mbyllur, në të cilën referoi kreu i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare Viktor Dimovski.
“Qeveria njofton opinionin se në pajtim me nenin 14 të Ligjit të Shtetësisë, është kërkuar nisja e aktiviteteve për shfuqizimin e vendimit për shtetësinë e personit Olekasandër Onischenko. Qeveria inicio kërkesën për marrjen e shtetësisë, pas seancës së mbajtur, në të cilën drejtori i ASK-së informoi për rastin”, theksohet në kumtesën e Qeverisë.
Më herët gjatë ditës, kryeministri Kovaçevski nuk u përgjigj nëse për rastin me biznesmenin prorus ka biseduar një ditë më parë me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Siguri dhe Inteligjencë, David Katler, i cili qëndron për vizitë në vend. Nga ajo që dihet në opinion, pikërisht mendimi i NATO-s është lënë pas dore nga ASK-ja kur janë mbledhur mendimet për pasaportën e Onischenkos.
Ndërkaq, kryeparlamentari Talat Xhaferi ka njoftuar se seanca e Komisionit për Mbikëqyrjen e punës së Agjencisë për Siguri Kombëtare nuk do të vazhdojë derisa MPB-ja të përgjigjet se si ka ndodhur lëshimi teknik. Në këtë seancë të premten, Dimovski filloi t’u jepte detaje për rastin deputetëve, por qëllimisht apo jo fjalimi u transmetua drejtpërdrejt në YouTube. Opozita dyshon se ky lëshim është inskenuar nga pushteti, për t’i shërbyer Dimovskit si arsyetim që të mos e vazhdojë raportin para deputetëve.
Shtetësia e prorusit në listë të zezë amerikane shkaktoi reagime të ashpra në opinion. Vendimi për shtetësinë e Onishçenkos u mor në një mbledhje qeveritare në maj të këtij viti, pas mendimit pozitiv nga 4 institucione, në mesin e të cilave ishte dhe ASK-ja./Alsat/