Dje gjatë seancës së 26 të qeverisë, kaloi propozim ligji për sistemimin e nëpunësve administrativ të punësuar përmes programit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, Programi К-5.
Qëllimi i ligjit, sipas njoftimit të kabinetit të zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubi, është që të zgjidhë problemin e imponuar 10-vjeçar dhe të zbatohet programi i qeverisë pa ndonjë implikim shtesë financiar.
Nëpunësit administrativë do të sistemohen në organet e pushtetit lokal dhe shtetëror si dhe organe tjera shtetërore të themeluara në pajtim me Kushtetutën dhe me ligj.
“Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, më së voni 15 ditë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut do t’i propozojë plan me qëllim sistemimin sa më të shpejtë të nëpunësve administrativ të punësuar me Marrëveshjen e Ohrit me qëllim përfaqësimin e drejtë dhe adekuat”, thuhet në fund të njoftimit../Telegrafi/