Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi njofton se Qeveria në seancën e sotme ka marrë vendim që nga 1 marsi deri më 31 maj të ngrijë marzhin e fitimit të produkteve bazë të tregtarëve, me 5% për ato me shumicë dhe 10% për ato me pakicë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Produktet bazë janë buka, sheqeri, kripa, mielli i tipit 400, vaji i lulediellit, qumështi, mishi, djathi, gjiza, orizi, vezët, makaronat dhe gruri.
Produktet e reja, çmimet e të cilave nuk janë ngrirë deri më tani janë frutat dhe perimet, si dhe vaji i lulediellit të papërpunuar.
Ndonëse njoftimet e mëparshme ishin se kjo masë do të zbatohet vetëm për produktet e huaja, sipas asaj që bëri të ditur Ministri, kjo do të vazhdojë të zbatohet për të gjitha çmimet e shitjes.
“Ky vendim është marrë për të kufizuar fitimet e tregtarëve në kurrizin e qytetarëve dhe prodhuesve”, tha Bekteshi.
Për shkelje të këtyre masave parashikohen nga 800 deri në 1.000 euro për mikrotregtarët, 1.600 deri në 2.000 për të vogjlit, 3.000 deri në 6.000 për një tregtarë të mesëm, nga 7.000 deri në 10.000 euro për një tregtar të madh.
“Në periudhën e ardhshme Inspektorati Shtetëror i Tregut do të bëjë kontrolle të intensifikuara, ndërsa qytetarët nëse vërejnë rritje të çmimeve të lajmërohen në 191”, shtoi Bekteshi./Telegrafi/