Javën e ardhshme, sindikalistët dhe përfaqësuesit e Qeverisë do të përpiqen përsëri ta dakordojnë metodologjinë e re për rritjen e pagave në sektorin publik. Në vend të vitit 2028, punonjësit në administratë paga më të larta do marrin në vitin 2025. Kjo është oferta e re e cila do t’u dorëzohet sindikatave, thotë zëvendëskryeministri Fatmir Bytyqi.
“Ne ofruam një periudhë kalimtare për harmonizim prej pesë vjetëve – ata thanë jo. Tani e shkurtojmë atë periudhë kohore për dy vjet e gjysmë dhe kjo do të thotë i kënaqim ata me atë që kërkojnë. Këto janë pjesë nga propozimi i ri dhe i njëjti do t’i dorëzohet sindikatës. Unë thashë, spekulime të tilla, kemi thënë, kemi dhënë, do t’ju ftojmë juve mediave që të jeni pjesë e këshillit ekonomik dhe social për të dëgjuar se cilat janë propozimet dhe t’i jepet fund kësaj përfundimisht, deklaroi Fatmir Bytyqi, zv.kryeministër i ekonomisë.
Propozimi i sindikatave është që paga mesatare të jetë bazë për llogaritjen e pagave në sektorin publik. Për Qeverinë, ky propozim është i pranueshëm, por nëse ka periudhë për përshtatje. Qeveria dhe sindikatat tash një vjet përpiqen të merren vesh si t’i rrisin pagat.
Me rritjen e pagës minimale vitin e kaluar në 18 mijë denarë dhe këtë vit në 20 mijë denarë, pagat në administratë janë pothuajse të barabarta me pagat minimale dhe kjo shkaktoi revoltë në mesin e të punësuarve.