Drejtuesit e OBRM-PDUKM-së po presin që të marrin mandatin për formimin e qeverisë së re nga presidenti për të filluar negociatat me partitë shqiptare. Zëdhënësi i partisë Ivo Kotevski, tha se OBRM-PDUKM-ja nuk heq dorë nga Nikolla Gruevski, i cili – sipas tij – pas marrjes së mandatit do të bej përpjekje maksimale për krijimin e kabinetit të ri qeveritar.
“Pasi të marrim mandatin do të fillojmë bisedimet dhe do të bëjmë përpjekje maksimale për krijimin e qeverisë. E kemi për obligim të bëjmë gjithçka të mundur për të realizuar programin që e votuan qytetarët”, raportojnë nga OBRM-PDUKM-ja.
Por nga LSDM-ja janë të bindur se Nikolla Gruevski nuk do të mund të formojë qeverinë e re. Megjithatë, zëdhënësi Petre Shilegov nuk dha detaje nëse social-demokratët çështjen e koalicionimi me partitë shqiptare nëse Gruevski dështon dhe nuk arrin të sigurojë votat e nevojshme në Kuvend.
“Afatet për krijimin e qeverisë janë ligjore. Për koalicionet e mundshme, me kohë do ta informojmë opinion. Fjala e Nikolla Gruevskit në politikë tanime nuk vlen aspak. Sa më shpejtë brenda OBRM-PDUKM-së kuptojnë se Gruevski duhet të zhduket, aq më mirë për këtë parti dhe aq më mirë për Maqedoninë si shtet”, shprehet Petre Shilegov, zedhënsi i LSDM-së.
Nga BDI-ja përsëritën qëndrimin e mëparëshëm duke thënë se bisedimet me partitë maqedonase do të fillojnë pasi të hartojnë platformën me subjektet shqiptare. Ndërkohë, nga Lëvizja Besa thanë se deri sot askush nuk i ka kontaktuar për bashkëpunim dhe përjashtuan çdo mundësi bashkëpunimi drejtuesit aktual të OBRM-PDUKM-së.
“Me ne si Lëvizje Besa askush nuk ka kontaktuar për koalicionim. Dhënia e mandatit nuk varet nga ne, por nga ai që e jep mandatin. Ne mbetemi në qëndrimin se me këtë OBRM-PDUKM nuk mund të bashkëpunojmë”, thonë për Alsat-M nga Lëvizja Besa.
Aleanca për shqiptarët thanë se primare e kanë unifikimin e qëndrimeve mes partive shqiptare për rregullim shtetëror e jo krijimin e qeverisë.
“Ne nuk do të komunikojmë veçmas me asnjë parti politike maqedonase, sepse ne jemi të interesuar fillimisht për ta unifikuar spektrin politik shqiptarë, për të ti dhënë forcë më të madhe pozitës sonë si popull karshi palës tjetër. Ne vlerësojmë se tanimë duhet ta hapim nje dialog politik për rregullim shtetëror dhe jo qeverisës”, deklarojnë nga Aleanca për Shqiptarët.
Pas dorëzimit të mandatit nga presidenti, i mandatuari ka afat prej 20 ditëve për të paraqitur programin për të propozuar përbërjen e qeverisë së re. Në rast se mandatari dështon ta bëjë këtë, atëherë Kushtetuta parasheh përsëritje të procedurës, ndërsa presidenti është i obliguar ta mandatojë një kandidati nga partia që ka dal e dyta në zgjedhje./Telegrafi/