Qeveria e ka miratuar vendimin që QTQ e Shkupit të lyhet me fasadë barok. Tashmë në Gazetën zyrtare të RM është publikuar vendimi për vazhdimin e ndërtimit të projektit “Shkupi 2014” në suaza të së cilit është edhe ndryshimi i pamjes së jashtme të Qendrës tregtare të qytetit, transmeton Telegrafi Maqedoni.
QTQ ishte objekt me vendim për trashëgimi kulturore, por tani edhe ky vendim është anuluar. Sipas ish kryetares së Asociacionit të arkitektëve të Maqedonisë, Danica Pavlovska, jo vetëm QTQ por edhe ndërtesat përreth paraqesin shenja dhe pikë-referime të qytetit për të cilat në mënyrë shpirtërore janë të lidhur qytetarët e Shkupit.
Beteja për QTQ zgjat tashmë tre vite. Arkitektë, aktorë të njohur, shkupjanë të njohur në publik organizuan protesta dhe tribuna me qëllim të shpëtimit të pamjes autoktone të QTQ. Qytetarët organizuan referendum dhe porositën që QTQ e Shkupit të mos “vishet” në stilin barok, por pas këtij vendimi tashmë zyrtarisht të publikuar në Gazetën zyrtare të RM, Shkupi do të ketë edhe një ndërtesë me fasadë të stilit barok./Telegrafi/