Site icon Telegrafi

Qeveria e përrallave dhe Parlamenti i kukullave

Çështja e veriut të Kosovës dhe qasja ndaj këtij problemi dhe shumë deformimeve tjera që po i shkaktojnë diku fqinjët e diku edhe vetë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, kanë bërë që shteti i ri të ndodhet në një situatë jo të mirë, e po ashtu edhe me një kredibilitet të përulur në raport me ndërkombëtaret dhe vetë opinionin e brendshëm.

Edhe pas katër vitesh të pavarësisë së vendit, institucionet shtetërore nuk kanë arritur t’i shpartallojnë strukturat paralele dhe ta shtrijë autoritetin e vet në terë territorin e shtetit. Përkundrazi, në veri të vendit gjendja ka shkuar me hapa të ngadalshëm drejt degradimit edhe më të madh të funksionimit të mekanizmave shtetëror. Për vite me radhë, mediat ndërkombëtare publikonin artikuj se në veri të Kosovës, strukturat mafioze serbe bashkëpunonin me kolegët e tyre shqiptarë, duke bërë biznese të paligjshme, ndërsa nga pala shqiptare shkruhej se disa nga ta janë të afërt me zyrtar e lartë të Qeverisë së Kosovës.

Kjo, nuk i bëri përshtypje aspak politikës në Prishtinë dhe situata u përshkallëzua, sidomos pas një intervenimi të pamenduar mirë nga kreu i qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, ose i menduar për favore të tjetërkujt.

Analizat e funksionimit të shtetit të ri dhe puna e Qeverisë Thaçi nuk duan shumë kohë për t’u analizuar, sepse janë të gjitha parametrat e mundshëm negativë. Suke e degraduar vendin, siç e thotë populli, e ka fut të ardhmen e vendit teposhtë. Në ketë situatë kjo Qeveri ka degraduar vendin nga dy aspekte: aspektin e brendshëm dhe atë të jashtëm.

Nëse i hedh një vështrim gjendjes ekonomike, politike, arsimore dhe çdo fushe të jetës qytetare në Kosovë, të bie në sy se jeta në të gjitha fushat ka degraduar. Ekonomia po bie, sistemi arsimor është në gjendje shumë të keqe, dhe kjo si pasojë e politizimit të skajshëm që i është bërë komplet sistemit arsimor. Janë dalë si kërpudhat pas shiut doktorët dhe masterët e njerëzve që kanë krah të fortë në politikë.

Qytetarët e Kosovës të vetmit në rajon nuk kanë liri të lëvizjes, për të cilën gjë Thaçi dhe thaçët e tij kishin premtuar se do ta sjellin për disa muaj. Kjo nuk po ndodhë, as pas dy vitesh, e nuk do të ndodhë edhe për ca kohë.

Punësimi në institucionet shtetërore dhe publike bëhet i seleksionuar dhe pa kritere, apo më konkretisht mbi kriterin e militantizmit politik të partisë së Thaçit. Korrupsioni përditë përflitet nëpër mediat vendore dhe ndërkombëtare, madje përmenden edhe “peshq” të mëdhenj. Sa për spektakël, herë pas here arrestohen disa zyrtarë dhe pas gjykimit dalin të pa fajshëm, gjë që krijon pasiguri edhe më të madhe tek qytetarët e vendit.

Kësisoj, po të fillosh t’i numërosh keqpërdorimet që bëhen me institucionet vendore, fajtorët dalin heronj e heronjtë i zë pluhuri i harresës. Për këtë duhet shkruar mijëra e mijëra libra, prandaj po ndalemi këtu, sa i përket degradimit të brendshëm që po i bëhet shtetit të ri nga pushtetarët.

Degradimi i jashtëm nga prizmi e shikimit drejt së ardhmes është edhe më shqetësues. Qeveria dhe institucionet shtetërore, përveç që përfliten për afera korruptive nga mekanizma ndërkombëtarë, zyrtarët e saj edhe më tej kanë shkuar – duke hyrë në dialogje të pafavorshme për vendin me Serbinë. Nga këto bisedime – herë të quajtura politike e herë marrëveshje me fjolla bore – jo vetëm se degradohet pavarësia edhe ashtu jo të plotë, por edhe favorizohet shteti armik që përditë shkel territorin dhe e provokon në mënyra të ndryshme (kur jemi tek degradimi i shtetit dhe identiteti shtetëror, duhet përmendur edhe debatin në Parlamentin Evropian dhe votimin kundër Fusnotës se Hashim-Ediës së Kosovës). Në ketë rast qeveritarët në Prishtinë do të duhet të preknin ose kokën ose diku tjetër dhe t’i thërrisnin mendjes e ta ndërpresin ketë degradim që po vazhdon ndaj vendit të tyre.

Sigurisht se kjo shkallë e degradimit që po i bëhet Kosovës, nga pikëpamja e brendshme dhe e jashtme duhet ndaluar, por kush mund ta bëjë ketë?

Një mendimtar dhe diplomat amerikan kishte thënë se secili popull ka ata udhëheqës që meriton. Mirëpo Kosova, në rastin konkret, nuk i meriton këta. Arsye e parë që nuk e meriton ketë qeverisje është se kjo qeveri ka ardhur në pushtet me rreth 60 mijë vota të vjedhura dhe mbi dhjetë vende të falura për minoritete. Prandaj, në rastin tonë kjo nuk vlen.

Duke u nisur nga rasti i fundit, ku nga një sulm terrorist u vra një shqiptar në veri të Mitrovicës, shihet qartë se pas më shumë se një jave kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe pionët e tij ministra, në mënyrë krejtësisht absurde ftojnë për debat parlamentar, me qëllimin e vetëm për t’ju treguar qytetarëve dhe opinionit kosovarë përralla me babadimrin!

Fjalimet patetike të hashimave të vegjël dhe më në fund edhe Hashimit të madh se si çështja e veriut duhet zgjidhur, dhe leksionet e tyre në Parlament tanimë edhe një fëmijë që ka kaluar moshën 10 vjeçare, nuk mund t’i quaj me ndonjë tjetër epitet pos – përralla!

Nuk duam askënd t’u thotë qytetarëve se ka ketë plan apo at ide, pos një fushate me fjalë boshe dhe mashtrime që më së paku kanë ngjashmëri me të vërtetën. Fillimisht, krye-hashimi nuk e ndërpreu turneun në SHBA, e madje as nuk e thirri vet seancën e jashtëzakonshme siç i takon me Kushtetutë – pasi u kthye në Prishtinë – por këtë e bënë disa mini-hashima parlamentarë. E pabesueshme! E, kjo nuk duhet ta çudisë askënd, sepse është po kjo garniturë r qeveritarëve që mandatin e kaluar nuk dha dorëheqje por u vetërrëzua.

Sido qe të jetë, Qeveria e Përrallave dhe Parlamenti i Kukullave mbajtën një seancë të jashtëzakonshme, edhe pse folën e përfolën gjërat më të zakonshme, të cilat përditë na i thonë në media. Qeveritaret e Kosovës u promovuan terë kohen duke e marrë hapësirën më të madhe. Madje, u pa në TV gjatë transmetimit direkt se tre apo katër ministra flisnin njëri pas tjetrit, pa i kaluar fjalë ndonjë deputeti.

Duke i dëgjuar me vëmendje, nuk kisha mundësi të marr vesh gjë nga ta, pos se rrëfenin përrallat e tyre.,Adresa ishte e gabuar, pasi qe në Parlament do duhej të flisnin për gjëra konkrete.

Nuk e di se kush mund ta analizonte ndryshe ketë gjë, pos si një përrallë fjalimin zëvendëskryeministrit, Hajredin Kuqit, kur deklaron se nuk ka ndërmend të përdorë forcën në veri, “sepse nuk dinë ndaj kujt ta përdor at forcë”. Thua se nuk e ditkan se kush janë shkelësit e ligjit atje! Ai harron se pakë ditë më herët kishte deklaruar se nuk përjashtohet edhe një 25 korrik tjetër?

Ata ose ato që nuk i dinë t’i lexojnë përrallat e tilla, mund të mendojnë se kjo është një lojë shumë e dëmshme për shoqërinë tonë. Së pari, është ironike kur Kuqi deklaroi se nuk e përjashton një “25 Korrik”, kur dihet se çka i solli Kosovës ajo ndërhyrje. Thjeshtë, e ktheu pas çdo gjë në veri, sepse ishte një aventurë e radhës e Hashim Thaçit.

Përrallat nuk janë gjë tjetër pos një rrëfim që nuk mund të ketë asnjë gjë të vërtetë. Duke parë fjalimet e qeveritarëve, mund të vëresh se nuk ka asnjë presje të vërtet, por 99.9 për qind janë të pavërteta. Prandaj, si përralla mund të cilësohen të realizuara. Dallimi është se ata nuk duhet të rrëfejnë në Parlament, por në ndonjë çerdhe fëmijësh.

Parlamenti i Kosovës, duke qenë në një situatë shumë të vështirë, si pasojë e kontrollit që i bëhet nga qeveritarët e përrallave, Hashimi i Madh dhe hashimat e vegjël, nuk po mund të bëjë asgjë pos të performojnë si teatri i kukullave. Derisa ky Parlament voton për çështjet e caktuara, ku Qeveria duhet t’i aprovoj marrëveshjet ndërkombëtare në Parlament, një gjë e tillë nuk ndodh dhe edhe kur formalisht kalon në parlament ndonjë debat si ky që e pamë (pos disa zërave të caktuar të opozitës, të tjerët lëvizin dhe marrin kohën kinse po flasin diçka, e në fakt nuk bëjnë asgjë tjetër).

Të dashur lexues, ishin vetëm pak fjalë, jo të natyrës time të shkrimit, por situata është mija herë më keq se çka munda ta them në ka q pak fjali…

 

Exit mobile version