Site icon Telegrafi

Qeveria e Maqedonisë vazhdon me (jo) strategjinë e saj në politikën e jashtme!

Maqedonia prej themelimit të saj si shtet më 1991 e deri më tani asnjëherë nuk ka pasur kaq politikë të jashtme të dezorientuar dhe të dezorganizuar e cila përmes reprezentëve të saj paraqitet aq kontraverze saqë po t’i thuhet Nikolla Gruevskit merre një vendim për ndonjë çështje, vështirë e ka edhe vet ai të përcaktohet se cili vendim është më i arsyeshëm për Maqedoninë.

Të shohim me radhë se për çka bëhet fjalë? Para disa ditëve Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Vlatko Gjorcev, e shau publikisht Ervan Fueren (Ambasador i Bashkësisë Evropiane në Maqedoni), para eurodeputetëve në parlamentin evropian me akuzë se “ai është duke punuar kundër interesave të Maqedonisë”. Disa ditë më vonë ministri i punëve të jashtme të Maqedonisë, Antonio Milloshovski, në letrën e dërguar ministrave të punëve të jashtme të shteteve anëtare të BE-së, kërkoi mbështetjen e tyre për caktimin e datës së fillimit të negociatave për anëtarësim në BE. Nëse dëgjohen (lexohen) këto deklarata menjëherë shihet qartë se bëhet fjalë për një joseriozitet të madh nga ana e qeverisë së Maqedonisë.

Absurdi tjetër vjen drejtpërdrejt nga: kryeministri Gruevski i cili në margjinat e samitit BE – Afrikë ( i mbajtur në Tripoli të Libisë), realizon takime ndërshtetërore me shefat dhe kryeministrat e shteteve pjesëmarrëse. Në agjendën e Gruevskit ishin edhe Kryetari i Zimbabvesë, Robert Mugabe, dhe Kryetari i Sirisë, Bashar El Asad. Kryetari i Zimbabvesë njihet si diktator i madh i cili qeverisë me vendin e tij përmes diktaturës që nga viti 1980. Kryetari i Sirisë, Bashar El Asad, është trashëgimtar i postit të presidentit të shtetit nga babai i tij, Safet El Asad. Asadi në Siri qeverisë duke e përdorur dhunën si mjet për të mbetur në pushtet ashtu siç qeverisi babai i tij plot 30 vjet, edhe pse në parim Siria është shtet me pluralizmi politik. Nëse këta dy burrështetas janë që të dy diktatorë dhe nuk kanë raporte të mira me BE-në dhe SHBA-në, atëherë shtrohet pyetja: Pse Gruevski takohet me ta? Çfarë dobie mund të ketë Maqedonia nga këto dy shtete të varfra dhe të izoluara nga BE dhe SHBA?

Nëse Gruevski mendon seriozisht të krijojë marrëdhënie të mira ndërshtetërore me këto dy shtete, atëherë ai e ka plotësisht gabim, i është shmangur politikës që duhet ndjekur shteti, sepse këta dy shtete i takojnë “botës se tretë” (lëvizjes së mosinkuadrimit). Këto janë shtete të varfra dhe mezi mbahen për veti në aspektin ekonomiko-social. Ndoshta, vallë Gruevski ka nostalgji nga e kaluara, sepse lëvizjen e mosikudrimit e themeluan Tito, Nehru dhe Naser?! Edhe kjo nuk mban! Përgjigja më e duhur duhet të jetë se ai dëshiron të shndërrohet në një diktator si Mugabe dhe Al Asad.

Këto takime të kryeministrit i komenton ish ambasadori Risto Nikovski, tani në cilësinë e anëtarit të këshillit për politikë të jashtme të presidentit të shtetit, duke e cituar ish ministrin e punëve të jashtme të Britanisë së madhe (në mesin e shek 19 ka qenë edhe kryeministër) London Palmerson thotë: “Miqtë dhe armiqtë mund t`i ndryshojmë. Interesat tona janë afatgjate dhe obligim i yni, i diplomacisë dhe i politikanëve që t’i mbrojnë ato”. Nikovski bën mire kur e citon London Palmerson, mirëpo harron ose ka amnezion se ne tani jemi në shekullin 21, dhe si “diplomat i karrierës” me qëllim nuk dëshiron ta dijë se mënyra e të bërit politikë në shekullin19 dhe tani dukshëm ka ndryshuar dhe nuk mund të bëjmë asnjë krahasim, sepse prej atëherë e deri më tani marrëdhëniet ndërkombëtare kanë evoluar dhe ndryshuar.

Anëtari tjetër i këshillit për politikë evropiane të presidentit të shtetit, edhe ky ish ambasador Dimitar Mircev, në një kolumne të shkruar prej tij para disa ditëve, del me një propozim për krijimin e një konfederate (por pa e saktësuar me cilin shtet), megjithatë na lë të kuptojmë se kërkon konfederatë me Serbinë, sepse sipas tij ”në aspektin formalo – juridik është e realizueshme meqenëse e drejta ndërkombëtare këtë e mundëson”. Nëse në aspektin formalo – juridik është e mundur të krijohet një konfederatë, atëherë kjo mund të bëhet vetëm me Serbinë për shkak se Maqedonisë ia mundëson referendumi i vitit 1991. Kjo iniciativë për krijimin e konfederatës ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë, mundet sipas tij ta mbroj Maqedoninë që ta ruaj emrin kushtetues.

Të gjitha këto iniciativa dhe takime të Gruevskit dhe ekipit të tij kanë vetëm një qëllim që ai me çdo kusht të mbetet në pushtet, sepse ka bërë aq shumë propagandë në popull sa që cili do politikan të vijë në krye të qeverisë së Maqedonisë nuk do të ketë guxim dhe mundësi ta ndryshojë emrin e shtetit i cili është kusht kryesor për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike.

Dhe më në fund e kemi mbajtjen e tubimit protestues të opozitës maqedonase në Shkup nën moton “marshi për demokraci”. Sipas liderit të opozitës maqedonase Branko Crvenkovski, Qeveria e Gruevskit në pesë vitet e fundit e shtrembëron pasqyrën reale dhe jonormalen e tregon si normale. “Humbjet nacionale i shpall si fitore, ekonomia bie dhe nuk ka investime ndërsa çdo i treti qytetar është i varfër dhe lufton për të mbijetuar ditën e ardhshme. Demokracia shkelet, shkelen edhe organizatat joqeveritare, ndërsa liria e mediumeve të lira është vetëm emër i menduar. Na konfrontuan me BE dhe bashkësinë ndërkombëtare, popullin e futën në përçarje dhe bëjnë ndarje, ose jeni me ne ose jeni kundër nesh. Për atë ne sot dëshirojmë t’i japim porosi Gruevskit se kemi vendosur të jemi kundër jush’, u shpreh lideri i LSDM-se para masës së tubuar.

Nga ky fjalim i tij shihet se Branko Crvenkovski i numëron dështimet e qeverisë Gruevski, në të gjitha fushat, mirëpo ai nuk ofron zgjidhje për kontestin e emrit, bile në atë temë fare nuk ka folur, derisa pikërisht rreth çështjes së emrit të shtetit, Gruevski krijoi rejting dhe simpati tek popullata e tij, por njëkohësisht e izoloi Maqedoninë prej bashkësisë ndërkombëtare. Crvenkovski e tregoi dëshirën e tij të flakët që edhe njëherë të vijë në pushtet pa ofruar alternativë, dëshiron zgjedhje të lira, por problemin kyç që e tangon vendin nuk dëshiron ta zgjidh.

Për kampin politik shqiptar, do të pyesim: Çka i nevojiten Maqedonisë zgjedhjet e lira kur dihet qe tani se kush do të dal fitimtar në ato zgjedhje të parakohshme të cilat i paralajmëron Gruevski. BDI-ja është prononcuar kundër këtyre zgjedhjeve me arsyetim se së pari duhet të zgjidhet çështja e emrit e pastaj të mbahen zgjedhje të lira. Si duket numrin e nevojshëm të deputetëve për shpërbërjen e përbërjes së kuvendit e kanë VMRO –DPMNE-ja dhe LSDM-ja. Partitë shqiptare janë para një akti të kryer dhe duhet të dalin në zgjedhjet e lira të parakohshme të cilat kalkulohet se do të mbahen në fund të shkurtit ose në fillim të marsit, mirëpo jo se këtë e kërkojnë partitë e bllokut politik maqedonas, por për të elektoratit të tyre që i ka votuar, për t’i matur forcat dhe për ta rikonfirmuar mandatin e tyre.

Mirëpo, po që se në këto zgjedhje të lira të parakohshme edhe njëherë fitojnë VMRO – DPMNE-ja dhe BDI-ja, ashtu siç jemi mësuar t’i shohim nëpër të gjitha anketat të cilat bëhen në Maqedoni, mbetet të shihet a do të vazhdojë politika e jashtme e Maqedonisë të jetë e dezorientuar dhe e dezorganizuar sikur tani, apo qeveria e ardhshme do të fillojë një kurs të ri.

Exit mobile version