Qeveria në seancën e mbrëmshme solli vendim për ta filluar procedurën për publikimin e thirrjes publike për ndërtimin e rrjetit distributiv gazsjellës në tre rajonet, atë të Shkupit, Perëndimor dhe Lindor përmes partneritetit publik privat, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Me vendimin, siç precizoi këshilltari i kryeministrit, Hristian Mickovski, parashihet rritje e koncesionit prej 20 në 30 vjet dhe ulje e taksës për kyçje për qytetarët prej 100 në 80 euro. Mjetet e tjera do të subvencionohen nga Qeveria.
Zëdhënësi qeveritar, Aleksandar Gjorgjiev theksoi se Qeveria në periudhën e kaluar u fokusua në ndërtimin e akseve magjistrale dhe theksoi se tashmë ka përfunduar gazsjellësi Shtip – Kleçovcë, para ca kohësh filloi të ndërtohet linja magjistrale nga Kleçovci drejt Negotinës, ndërsa së shpejti do të pasojë realizimi dhe linjat nga Negotina drejt Manastirit, si dhe nga Shkupi drejt Gostivarit përmes Tetovës.
Siç precizoi Gjorgjiev, shkak për publikimin e thirrjes së re është situata e sapokrijuar në tregun botëror të gazit. /Telegrafi/