Telegrafi

Qeveria e Maqedonisë do të harxhojë mbi 700 mijë euro për mirëmbajtjen e sipërfaqeve të gjelbra

Qeveria e Maqedonisë së Veriut do të shpenzojë 783.000 euro për mirëmbajtjen dhe rregullimin e sipërfaqeve të gjelbra.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar nga Zyra për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, kompania “Trista Group” do të duhet të ruajë gjelbërimin në Qeveri, ndërtesat e banimit dhe organet e administratës shtetërore për tre vitet e ardhshme, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Qeveria thotë se mirëmbajtja e sipërfaqeve të gjelbra deri më tani ka qenë pjesë e tenderit për kopshtari, siguri, higjienë dhe mirëmbajtje të vazhdueshme, dhe tani procedura është zhvilluar veçmas për herë të parë, duke pretenduar se shuma e parave që harxhohen tani për këtë qëllim janë më të vogla, në krahasim me vitet më parë.

Sipas Regjistrit Qendror, Trista Group, e vetmja kompani që ka marrë dhe fituar tenderin, ka nënshkruar 15 kontrata të prokurimit publik në 12 muajt e fundit. E njëjta kompani ka lidhur kontrata të ngjashme shërbimesh me Bashkinë e Shkupit, Komunën e Karposhit, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Kuvendin.

Edhe pse Ndërmarrja Publike “Parqe dhe gjelbërime” është përgjegjëse për mirëmbajtjen e sipërfaqeve publike të gjelbra, Qeveria ende shpenzon mijëra euro për ndërmarrjet private për këtë qëllim./Telegrafi/