Qeveria sot do ta mbajë mbledhjen e 40-t në të cilën do të shqyrtojë çështje nga disa sfera, ndërsa mes tyre edhe Strategjinë nacionale për luftë kundër larjes së parave dhe financimit të terrorizmit, e cila është me propozim të Ministrisë së Financave.
Në mbledhje Agjencia për kadastër të patundshmërive do të parashtrojë propozim tarifor për ndryshim dhe plotësim të tarifores për lartësinë e kompensimit për shfrytëzim dhe kontroll të të dhënave nga Sistemi informativ gjeodezik-kadastral, si dhe të shërbimeve të tjera të agjencisë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ministrat do ta shqyrtojnë edhe informatën për aktivitetet e ndërmarra për arritjen e marrëveshjes ndërqeveritare për implementimin e FATCA regjimit në Republikën e Maqedonisë dhe për pozicionet e SHBA-së lidhur me përdorimin e arritjes së marrëveshjes me Republikën e Maqedonisë për harmonizimin e tatimeve sipas llogarive të huaja (Foreign Account Tax Compliance Act – FATCA), që ka për qëllim ta parandalojë fshehjen e tatimit nga ana e obliguesve tatimor amerikanë të cilët kanë llogari jashtë vendit.
Në mbledhje do të shqyrtohet edhe informata lidhur me aktivitetet të cilat i ndërmerr Republika e Maqedonisë ndaj Konventës së Berlinit.
Ministria e Drejtësisë në mbledhje do ta prezantojë tekstin më të ri të Propozim-ligjit për amnisti rreth debatit publik të propozimit, përderisa Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës do të propozojë ndryshime dhe plotësime të disa ligjeve të cilat dalin nga ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për administratë publike.
Me propozim të Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës në rend dite do të jetë edhe informata për nënshkrimin e Memorandumit për bashkëpunim me Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore për realizimin e projektit për modernizim dhe transformim të administratës publike./Telegrafi/