Qeveria e Maqedonisë sot në seancë solli vendim për zbatimin e fushatës nga interesi i publik për referendumin për pyetjen “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?”.
“Fushata për referendum do të zbatohet me qëllim të shpërndarjes së informacioneve nga interesi publik për qytetarët/votuesit në Republikën e Maqedonisë, rreth përmbajtjes së marrëveshjes me Greqinë, përfitimet e Maqedonisë nga integrimet në NATO dhe BE si dhe plani ku vendi duhet të lëvizë drejt NATO-s dhe BE-së”, thuhet në kumtesën e Qeverisë së Maqedonisë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Nga Qeveria thonë se fushata do të udhëhiqet në përputhje me standardet për komunikime publike, në mënyrë objektive dhe komunikim informativ, komunikime jo partiake, si në mënyrë të arsyeshme dhe propocionale.
“Në procesin për zbatimin e fushatës informuese për referendumin, shërbimet e Qeverisë për komunikime dhe marrëdhënie me publikun, ashtu sikurse për secilin komunikim qeveritar, do të punojnë në pajtueshmëri me standardet dhe kodeksin e sjelljes në suaza të Ligjit për zyrtarët administrator dhe kodeksin etik të punëtorëve administrativ, si dhe principet universale të integritetit, nderit, objektivitetit”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.
Qeveria në seancën e 83, i obligoi të gjithë ministritë dhe organet tjera shtetërore, që në afat prej 3 ditësh deri te Ministria e Financave të sjellin informacione për mjetet që i kanë në dispozicion, dhe do të mund të ri-caktohen për fushatën e referendumit./Telegrafi/