Qeveria e Maqedonisë miratoi masa për kursimin e energjisë elektrike deri në 15 përqind, poashtu u miratuan rekomandime për amvisëritë dhe kompanitë me detyrime specifike për institucionet shtetërore që duhet të respektohen, në të kundërt do të pasojnë sanksione.
Siç njoftoi sot ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, masat do të hyjnë në fuqi më 1 shtator të këtij viti dhe do të jenë të vlefshme deri më 31 mars 2023.
“Para nesh është një nga dimrat më të vështirë në aspektin energjetik, jo vetëm për ne, por edhe për të gjitha vendet e rajonit, por edhe të Evropës. Për ta bërë më të lehtë përballimin me atë që na pret, për furnizim të pandërprerë me energji elektrike, konsum racional dhe fatura më të ulëta, ne kemi përgatitur një plan dhe rekomandime për kursimin e energjisë elektrike. Masat ndahen në disa kategori, varësisht nëse janë për familje, kompani apo objekte, institucione dhe ndërmarrje shtetërore. Objektivi është ulja e konsumit me 15 përqind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Nëse ky synim nuk arrihet, sipas kodit të etikës dhe të gjitha dekreteve, do të pasojnë sanksione të caktuara për të gjithë drejtuesit e institucioneve”, theksoi Bekteshi.
Fikja e ndriçimit dekorativ në fasadat e ndërtesave publike dhe monumenteve të kulturës, fikja e llambave kur ka dritë të mjaftueshme, në sezonin e ftohjes kondicionerët duhet të vendosen jo më poshtë se 27 gradë, dhe në sezonin e ngrohjes jo më shumë se 20 gradë, fikja e kompjuterëve pas punës, ndërrimi i rregullt i filtrave të njësive të ngrohjes dhe kondicionerëve, printimi vetëm i materialeve të nevojshme në sasi të nevojshme, janë vetëm disa nga rekomandimet për institucionet shtetërore.