Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot do të mbajë mbledhjen e rregullt të 168-të, në të cilën disa pika do të jenë në rend dite.
Me propozim të Ministrisë së Financave, në këtë mbledhje do të prezantohet informacioni lidhur me futjen e sistemeve dhe veglave për kontroll automatik të vlefshmërisë së kërkesës tatimore dhe rimbursimin e mjeteve, të përgatitur nga Drejtoria e të Ardhurave Publike.
Në propozim të Ministrisë së Financave, në mbledhjen e sotme ministrat e Qeverisë do të deklarohen edhe për propozim-vendimin për harmonizimin dhe ndryshimin e Tarifës Doganore për vitin 2020.
Në këtë mbledhje do të shqyrtohet edhe Informacioni për Planin e Garancisë Rinore 2020-2022, nën kompetencën e Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale.
Në mbledhjen e sotme do të diskutohet edhe për Propozim-programin për ndryshimin e Programit për mbrojtje shëndetësore të personave me sëmundje të varësisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut për vitin 2019.
Ministria e Punëve të Jashtme në këtë mbledhje propozon Propozim-ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Francës, që ka të bëjë me shkollat e mesme me paralele dygjuhësore frankofone.
Në këtë mbledhje të Qeverisë është paraparë edhe miratimi i Informacionit për nënshkrimin e Marrëveshjes për grante për instrumente muzikore dhe pajisje për tinguj dhe ndriçim të Operës dhe Baletit Kombëtar, si donacion nga Qeveria e Japonisë.
Mbledhja e rregullt e 168-të e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është paraparë të fillojë në orën 12:00./Telegrafi/