Telegrafi

Qeveria e Maqedonisë garanton se nuk bëhen përgjime joligjore

Bashkë me Ligjin e drejtorisë për siguri dhe kundërzbulim, Qeveria po punon edhe për Ligjin për ndjekje të komunikimeve elektronike, për të gjetur një zgjidhje sistemore që do të garantonte se asnjë qeveri në të ardhmen nuk do të keqpërdorë sistemin.

“Qeveria për momentin po punon në mënyrë intensive dhe është në fazën finale të reformave në DSK dhe Ligjin për ndjekje të komunikimeve elektronike. Me planin 3-6-9, që para dy muajve e gjysmë paralajmëruam që këto reforma janë rrënjësore në mënyrë që asnjëherë më në Maqedoni të mos përsëritet ajo që ndodhi.”, deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.

Boshnjakovski shpjegon se në propozimin e fundit të Qeverisë, ajo nuk e obligon por vetëm i  propozon Gjykatës kushtetuese ta ndërpres procedurën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 175 nga Ligji për komunikime elektronike, i cili i mundëson DSK-së që direkt të përgjojë nëpërmjet operatorëve të telekomunikacionit.

“Garantojmë se për momentin nuk mund të ketë keqpërdorim të  masave të veçanta hetuese. Drejtori  i DSK-së, publikisht dhe në mënyrë transparente tha se për momentin gjithçka që ndodh atje është në suaza të ligjit. Pa urdhër të Prokurorisë, nuk mundet në Maqedoni më të përdoren masa të posaçme për hetim”, përfundoi Boshnjakovski./Telegrafi/