Site icon Telegrafi

Nesër mblidhet Qeveria, nuk dihet nëse do të votohet projektligji për dialogun

Qeveria e Kosovës, ka paralajmëruar se të hënën në orën 14:00, do të mbajë mbledhje, ndërkaq nuk dihet nëse do të futet në rend dite votimi i projektligjit për dialogun me Serbinë, që pastaj të dërgohet në Kuvendin e Kosovës.

Kryeministri Haradinaj, në seancën e së premtes derisa diskutohej për pesë kushtet e PSD-së, për ta votuar projekt buxhetin e vitit 2019, kishte thënë se marrin si obligime kushtet e këtij subjekti politik, duke përfshirë edhe kushtin që Dialogu me Serbinë të shkëputet nga dora e një njeriu, pra të Presidentit Hashim Thaçi.

“I nderuari Sejdiu, ju në kohën kur Lista Serbe ka provuar me kushtëzuar Kosovën, vërtet keni mbajtur qëndrim parimor, qëndrime që i kanë mundësuar vendit dhe Qeverisë me i ecë disa tema që janë me rëndësi siç është ajo e ushtrisë. Kërkesat që i ceket sot janë të drejta dhe ne në diskutim si koalicion qeverisë marrim obligimet për këto kërkesa ashtu si i cekët ju. Pra, të hënën që vjen fillojmë edhe me zbatimin e të parës, me votimin e ligjit për dialogun ne qeveri dhe me sjellë këtu”, ka thënë Haradinaj.

Duhet theksuar se një ndër pesë kushtet e PSD-së, në të cilën ajo dha votën e 12 deputetëve të vet për buxhetin e vitit 2019 ishte “Ligji për dialogun të miratohet në Qeveri dhe të dërgohet në Kuvend jo më larg se ditën e hënë, pra me datën 24.12.2018”. /Telegrafi

Exit mobile version