Site icon Telegrafi

Qeveria e Kosovës nuk merr pjesë në takimin e qeverive të Shqipërisë dhe Serbisë

Përfaqësuesit e Kosovës nuk do të marrin pjesë në takimin e përbashkët mes qeverive të Serbisë dhe Shqipërisë, që pritet të mbahet në qytetin e Nishit.

Pjesë e këtij forumi ekonomiko-biznesor, të cilin do ta udhëheqin dy kryeministrat, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq, nuk do të merr pjesë asnjë nivel i shteti të Kosovës, kështu ka deklaruar për “Indeksonline”, Faton Abdullahu, zëdhënës i Qeverisë Mustafa.

“Gjitha janë spekulime. Ne nuk kemi ftesë dhe nuk do të jemi atje. Nuk shkojmë atje me përfaqësu as nivel të lartë as të ulët, thjesht janë spekulime mediale apo të natyrave të ndryshme”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Rama ka deklaruar se ky forum biznesor ka kohë që po planifikohet dhe si pikënisje ka pasur bashkëpunimin për eliminimin e barrierave tregtare në mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Ai e ka sqaruar se çka saktë do të ndodh në Nish dhe se nëse ka kërkuar që pjesëmarrës të jenë edhe qeveritarë nga Kosova.

“Në Nish, ky plan do të prezantohet në një forum ekonomik biznesi shqiptaro-serb. Kjo është e gjitha. Nuk e kam ndërmjetësuar pjesëmarrjen e niveleve të larta të qeverisë së Kosovës në këtë takim dhe as s’më është kërkuar dhe as s’e kam kërkuar një gjë të tillë”, është deklaruar Rama për Klan Kosova.

Rama thotë se asnjëherë nuk ka bërë ndasi me Kosovën, mirëpo as nuk përzihet në punët e Kosovës me palët e treta.

Exit mobile version