Site icon Telegrafi

Qeveria e Kosovës ndanë 3.2 milionë euro për shpronësime rreth stadiumit “Adem Jashari”

Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme ka marr vendim që të nis procesi i shpronësimit të pronave rreth stadiumit olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë me qëllim të rinovimit dhe rikonstrukturimit të tij, projekt për të cilin ka ndarë 3.2 milionë euro.

Zëvendësministri i Mjedisit dhe Infrastrukturës, Avni Zogiani tha se kanë pranuar kërkesë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që të bëhet shpronësimi i këtyre pronave me qëllim që stadiumi “Adem Jashari” të rinovohet dhe të kalojë nga kategoria 2 në kategorinë 4 sipas rregullave të UEFA-s.

“Departamenti i shpronësimit, më datën 21.06.2023, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka pranuar shkresën numër 3374/23, kërkesë për shpronësim, stadiumi olimpik “Adem Jashari” Mitrovicë ku është kërkuar shpronësimi i pronave sipas tabelës së bashkangjitur në vendimin aktual. Bazuar në projektin për përmirësimin e infrastrukturës sportive që nga kategoria 2, të ngritet në kategorinë 4 sipas rregullores së UEFA-s, me qëllim të plotësimit të kushteve dhe kritereve për zhvillimin e lojërave në përputhshmëri me rregulloret dhe ne veçanti me kornizës ligjore të UEFA-s dhe FIFA-s”, ka thënë Zogiani.

Ai tha se janë plotësuar të gjitha kushtet që kjo kërkesë të miratohet dhe të fillojë puna për shpronësimin e pronave që i nevojiten stadiumit olimpik në Mitrovicë.

“Departamenti i shpronësimit, pas përfundimit të procedurave dhe kontrollimit në aspektin teknik dhe juridik të kërkesës ka konstatuar përmbushjen e kushteve ligjore të nenit 3,4, 8 dhe 44-të Ligjit për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme dhe kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të nxjerrë vendim me të cilin miratohet shqyrtimi i mëtejmë i kërkesës për shpronësim për interes publik për realizimin e projektit të rinovimit të stadiumit olimpik në Mitrovicë”, nënvizoi Zogiani.

Vendimi ka marrë mbështetjen edhe të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve e cila ka ndarë 3.2 milion euro për realizimin e këtij projekti.

Ministri i kësaj ministrie, Hekuran Murati, deklaroi se ky buxhet do të hap dyert për fillimin e punës në stadiumin “Adem Jashari”

Pas këtij vendimit, do të vazhdohet me dëgjimin publik dhe konsultimin me pronarët e këtyre pronave që duhen shpronësuar për realizimin e këtij projekti. /Kosova Press/

Exit mobile version