Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka theksuar se Qeveria e Kosovës ka miratuar Strategjinë kundër korrupsionit dhe planin e veprimit 2018-2022, duke vënë theksin sipas tij, në sektorin politik publik, administratën publike, në zbatimin e ligjit si dhe në gjyqësor, prokurim publik dhe menaxhim të financave publike.
Ai në profilin e tij në Facebook ka shkruar se Qeveria poashtu ka aprovuar shtesat për stafin administrativ të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për ta fuqizuar sistemin e drejtësisë.
“Në kuadër të programit buxhetor ‘Prokurorët Specialë’ janë aprovuar 54 pozita, prej tyre 15 janë prokurorë e 39 staf administrativ i Prokurorisë Speciale. Poashtu, miratuam edhe strategjinë shtetërore për riintegrim të qëndrueshëm të personave të riatdhesuar në Kosovë dhe planin e veprimit 2018-2022. Për 3 vitet e ardhshme për këtë strategji janë planifikuar mbi 15 milionë euro nga të cilat mbi 5 milionë janë donacione”, ka shtuar Haradinaj.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka proceduar me Marrëveshjen Ndërkombëtare për sigurimet sociale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane.
“Me këtë, u kemi mundësuar qytetarëve, që kanë punuar për kohë të gjatë në Konfederatën e Zvicrës, të drejtën që pensionin ta marrin në Kosovë”, ka theksuar Haradinaj. /Telegrafi/
Foto: Arkiv