Site icon Telegrafi

Qeveria e Kosovës miraton dy rregullore për të drejtat e autorit

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, u miratuan dy rregullore që kanë të bëjnë me të drejtën e autorit e pronën intelektuale të cilat duhet të mbrohen me ligj. Konkretisht, bëhet fjalë për plotësimin dhe ndryshimin e rregullores për ndërmjetësimin e të Drejtës së Autorit dhe Rregulloren për të drejtën e kompensimit të veçantë.

“Rregullorja e ndryshuar dhe plotësuar, siguron që procesi i ndërmjetësimit në të drejtën e autorit të zhvillohet në mënyrë efektive dhe efikase. Ajo përcakton afate dhe procedura të qarta dhe të sakta; rritë sigurinë juridike dhe ndihmon në zbatimin e të drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta”, ka thënë ministri i Kulturës, Kujtim Gashi. “Me këtë rregullore janë trajtuar çështjet kryesore si në vijim: Çështja e fillimit të procedurës së ndërmjetësimit në kontestet e përcaktimit të tarifave të përgjithshme, çështja e propozimit të ndërmjetësuesit në këto konteste dhe çështja e kohëzgjatjes së procedurës së ndërmjetësimit në kontestet në lidhje me përcaktimin e tarifave të përgjithshme”.

Ndërsa, për rregulloren për kompensime të veçanta, ministri është shprehur se kjo bëhet me qëllim të krijimit të një sistemi funksional të së drejtës së autorit.

“Mbajtësit e të drejtave do të kompensohen për shfrytëzimin e veprave të tyre nga ana e shfrytëzuesve të të drejtave, kështu që i propozoj Qeverisë të aprovoj Rregulloren për rregullimin e të drejtës për kompensim të veçantë, me të cilën përcaktohen vlerat monetare – tarifa – e cilat do të aplikohet për çdo mjet i cili mund të përdoret për kopjim të materialit apo lëndës të mbrojtur me drejtën e autorit”, ka thënë mes tjerash ministri gjatë ekspozesë për rregulloren e dytë.

Rregullorja në fjalë detajon se çfarë kompensohet. Fjala vjen, CD, DVD, disqe të ndryshme, USB, hard-disqe, për disqe të integruara, për video regjistrues, për memorien e TV-ve e deri te ajo e telefonave mobilë, pastaj për aparate fotokopjuese varësisht nga numri i kopjimeve që mund të bëjnë dhe për çdo kopje të bërë me pagesë parashihen saktësisht me anë të kësaj rregulloreje.

“Miratimi i rregullores është vendim historik për autorët, krijuesit dhe prodhuesit e materialit të mbrojtur me të drejtën e autorit, pasi që nga sot ata do të kenë edhe një burim të të ardhurave për veprat e tyre të krijuara me mund dhe sakrificë. Miratimi i kësaj rregulloreje përbën edhe një hap tjetër në krijimin e një sistemi funksional të të drejtave të autorit, dhe në zbatimin e obligimeve që dalin nga Marrëveshja për Stabilizim Asocim”, ka thënë ministri.

Exit mobile version