Site icon Telegrafi

Qeveria e Kosovës mban mbledhje, këto janë vendimet që u morën

Foto: Arkivi

Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e radhës elektronike, në të cilën ka miratuar një sërë vendimesh dhe projektligjesh.

Bëhet fjalë për Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për Projektin “Efiçienca e Energjisë në ndërtesa publike në Prizren” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Ndërsa Projektligji tjetër është ai për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për Projektin “Korniza e qyteteve të gjelbra 2 dritarja 2 – efiçienca e energjisë në ndërtesa publike në Prishtinë” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Qeveria po ashtu miratoi vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore për mbështetje të Këshillit Nacional Shqiptar dhe përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, në funksion të zbatimit të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar, të datës 28 tetor 2022, mbi përkrahjen financiare në qëllim të ruajtjes e kultivimit të gjuhës, artit, kulturës e identitetit shqiptar në Luginën e Preshevës.

Po ashtu u miratua edhe kërkesa e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime, ndarje dhe harmonizime në paga dhe shtesa, vendimi për aprovimin e kërkesës së Zyrës së Kryeministrit për ndarje të mjeteve buxhetore për zbatimin e masës 2.4 – Mbështetja e Eksportit të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Qeveria miratoi edhe kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për ndarje të mjeteve buxhetore për zbatimin e pikës 1.4 dhe 1.6 të vendimit numër. 31/99 të datës 30.09.2022, i plotësuar dhe ndryshuar me vendimin Nr.10/102 i datës 26.10.2022, lidhur me masat shtesë në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike në zbatim të Masës 3.6 – Mbështetja e likuiditetit familjar, si dhe vendimin për aprovimin e kërkesës së MASHTI-t për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë 8.020.689 euro për pagesën e obligimeve të blerjes së librave. /Telegrafi/

Exit mobile version