Site icon Telegrafi

Qeveria e Kosovës dhe gjumi i “arushës”

Të gjitha raportet ndërkombëtare për vlerësimin e gjendjes në Kosovë, në theks të veçantë Raporti i Progresit që rrjedh nga Komisioni Evropian, janë dokumente të rëndësishme të cilat në mënyrë reale vlerësojnë gjendjen ekonomike, politike e shoqërore në Kosovë. Të gjitha këto raporte që kanë për qëllimin pasqyrimin e gjendjes reale në Kosovë, janë të një rëndësie të madhe për faktin se proceset nëpër të cilat duhet të kaloj Kosova në përgjithësi, dhe rruga që duhet ndjek vendi ynë, janë pikërisht këto organizma në të cilat pretendojmë të anëtarësohemi.

Duke parë nevojën urgjente për faktin që Kosova të mos mbetet e neglizhuar dhe prapa vendeve te Ballkanit Perëndimor, Komisioni Evropian kishte dizajnuar enkas për Kosovën një mekanizëm mbi bazën e një procesi të ashtuquajtur “ Mekanizmi Përcjellës i Stabilizim Asociimit” , ku përmes këtij mekanizmi Kosova ka të drejt të jetë pjesëmarrëse e drejtpërdrejt e procesit integrues si dhe e ka mundësinë e shfrytëzimit në forma të njëjta sikurse edhe shtetet tjera që janë paraparë në funksion të Procesit të Stabilizim Asociimit, duke përfshirë këtu masat tregtare, asistenca financiare, bashkëpunimi i drejtë rajonal, partneriteti evropian, raportet e progresit etj.

“Avullimi” i reformave

Raportin e Progresit nga Komisioni Evropian dhe Kosovën, e ndajnë vetëm pak muaj. Institucionet e Kosovës sikur çdo vit tjetër, ashtu edhe këtë vit nuk kanë bërë asgjë të veçantë. Gjatë tërë vitit nuk bëhet asgjë në përmirësimin e imazhit të Kosovës karshi mekanizmave vlerësues evropian, nuk ka përparime në drejtësi, arsim, ekonomi. Korrupsioni ka shënuar rritje enorme, dukuri e cila Kosovën e ka përcjellë që nga paslufta e këndej.

Pas çdo deklarate të ndonjë diplomati evropian që përmend procesin e vlerësimit dhe raportet që rrjedhimisht vijnë nga qarqe evropiane, institucionet e Kosovës thuajse këndellen, jo për të përmirësuar imazhin dhe mirëqenien e qytetarit, por kanë për qëllim të justifikohen para opinionit publik të Kosovës, para sovranit, duke u zotuar gjithmonë se, gjatë muajve në vazhdim është me rëndësi fundamentale që secili institucion në Kosovë të bashkëpunoj ngushtë me Ministrinë e Integrimeve, në mënyrë që të kemi një raport pozitiv të progresit i cili do të nxirrte Kosovën si vendin që ka nis përparimin e duhur në të gjitha sferat e jetës, ama këto deklarata vijnë një ose dy muaj para se Komisioni Evropian të dalë më raporte për progresin në Kosovë. Dhe me të drejt rikujtojmë fjalinë që të parët tanë na e kanë lënë, “Nuk ruhet quari natën e Bajramit”.

Reforma në administratën publike, reforma në sundimin e ligjit, të gjyqësorit, lufta ndaj dukurisë ogurzezë, korrupsionit, aspekte nga fusha e liberalizimit të vizave, liria e medieve e shumë reforma të tjera të kërkuara si standarde evropiane, kanë ngelur vetëm si qëllime në letër, por jo edhe të funksionalizohen dhe konkretizohen në realitet.

Sundimi i ligjit

Mbi tri vite nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, vendi ynë vazhdon akoma të përballet me pabarazi të ligjit, si dhe sistemin gjyqësor të sakatosur që në masë të madhe po ndikon dhe po e rëndon qytetarin e Kosovës. Përformanca e policisë së Kosovës, prokurorive publike dhe gjyqeve në Kosovë, është e orientuar kah çrregullimi i të rregulltës, i asaj për çka janë të angazhuar. Për fat të keq, këto institucione që përmenda më lartë, janë të ndikuara nga politika, dhe sa herë që politika fut “hundët” në këto institucione, ai që vuan është qytetari i Kosovës, ajo që shkatërrohet është stabiliteti i vendit, ajo që i frikësohemi është e ardhmja e dyshimtë e këtij vendi, e Kosovës.

Krimi i organizuar dhe korrupsioni kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë shumë të përhapura nëpër institucione, të cilat në kohë kanë krijuar mekanizma të cilat kryesisht merren me luftimin e këtyre dukurive, por asnjëherë nuk është sjell askush para drejtësisë me aktakuzë për keqpërdorim të parasë publike ose të pozitës zyrtare në forma të ndryshme që bien ndesh me ligjin, edhe nëse është sjell dikush para drejtësisë, janë raste të ndikuara politikisht dhe individ të shtyrë nga “boss-a” të tyre politik, të cilët me ose pa vetëdije kanë pranuar të jenë “karrem” i të ashtuquajturve “peshqit e mëdhenj”.

Kjo është bërë gjithsesi për shpërqendrim të vëmendjes së opinionit të gjerë publik. Populli shqiptar i Kosovës udhëhiqet nga një elitë e paligjshme politike, nga njerëz të cilët pos pasurimit të vetvetes dhe fisit të vet, s’kanë asgjë tjetër në mendje, gjithsesi aludojnë të vënë kontroll mbi gjithçka dhe në çdo aspekt shoqëror, ngase vetëm kështu arrijnë të ruajnë qëndrueshmërinë e tyre ne politik dhe me e keqja, në udhëheqje të vendit.

Sa i përket Policisë së Kosovës, mund të themi se kjo e fundit ka aftësi të kufizuara për tu marr me hetime të ndryshme për të cilat mendohet se janë tejet komplekse, si mashtrimet financiare, terrorizimi, droga, trafikimi me qenie njerëzore, korrupsioni i nivelit të lartë institucional dhe krimi i organizuar. Policia e Kosovës do të mund të justifikohej për faktin se, i mungon përvoja adekuate, nuk ka pasur trajnime që kryesisht merren me hetim të këtyre çështjeve, edhe nëse ka pasur, nuk kanë qenë të bollshme, por e keqja është se PK është objekt edhe i ndërhyrjes politike, ku me këtë rast domosdo duhet të jetë në gatishmëri për të përmbushur kërkesat dhe urdhrat e drejtorëve të tyre të cilët në mënyrë kategorike mbrojnë interesat jo të shtetit, por ato të qeveritarëve dhe njerëzve të cilët iu mundësuan të arrijnë postet drejtuese në Policinë e Kosovës.

Regresi ekonomik

Megjithatë është regres. Cili qytetar i Kosovës do të kishte vullnetin që të thotë se Kosova si në rrafshin politik, arsimor, dhe ekonomik, në vend që të karakterizohet me regres, po identifikohet me regres..? Qasja e qeverisë së Kosovës për të investuar në sfera të dobishme dhe që kërkojnë urgjencë në mënyrë që Kosova të siguroj një stabilitet ekonomik me synim të përmirësimit të jetës së qytetarëve, mungon. Institucionet e Kosovës, të vetmen qasje e kanë infrastrukturën rrugore, e cila domosdo është e nevojshme për vendin, por nuk është faktor që ndikon në zhvillimin ekonomik.

Me theks të veçantë, nuk është formë e cila mund të krijoj mirëqenie të vazhdueshme ekonomike të Kosovës. Me fjalë të tjera, institucionet e Kosovës ka qenë dashtë të krijojnë qasje e cila reflekton mundësi dhe përkrahje të sektorit privat, ku ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kishin ndje dorën e shtetit dhe mbështetjen e tij, të forcohet sektori prodhues, të stimulohet bujqësia dhe përpunimi i produkteve bujqësore, të ngrihet kualiteti edukativ në Kosovë dhe në këtë mënyrë Kosova mund të krijoj kushte që të vlerësohet si vend atraktivë për investitorët.

Autoritetet qeveritare në Kosovë, vazhdimisht kanë deklaruar se do të krijojmë mekanizma mbështetës të cilat do tu japin përparësi projekteve që ndihmojnë në rritjen e efikasitetit dhe qëndrueshmërisë ekonomike, si infrastruktura, arsimi, shëndetësia, bujqësia, zhvillimi i sektorit privat dhe fusha të tjera me interes për vendin, forma këto që ndikojnë në krijimin e një ambienti të volitshëm për tërheqjen e investitorëve të brendshëm dhe atyre të jashtëm.

Qeveria e Kosovës, elita politika që po udhëheq me institucionet e vendit, në mënyrë kategorike po mundohet të krijoj një politikë të shitjes së pasurisë së gjithëmbarshme, dhe pasurimit të tyre nga gjithçka e shitur. Kjo qeveri, është e orientuar vetëm në rrugë, ndërtimin e të cilave po e bëjnë kompani inekzistuese, ose ekzistuese, por fisnore dhe mbi baza të “jaranllëkut”

Në fund, shitja e PTK-së, KEK-ut, dhe privatizimi i Trepçës, janë indikatorët kryesor që tregojnë se këta njerëz nuk kanë për qëllim ngritjen e shtetit dhe ekonomisë së tij, por vetëm pasurimin dhe kapitalin e vetvetes. Në vend që të hapen vende të reja të punës, me shitjen e këtyre ndërmarrjeve të mëdha shoqërore, dukshëm rritet numri i të papunëve, dhe kur numri i të papunëve rritet, dukshëm pasurohen pushtetarët, kur pushtetarët pasurohen dhe dërgojnë “lekët” e vjedhura jashtë vendit, padyshim se shteti shkon në regres ekonomik, e kur shteti shkon në regres ekonomik, popullata varfërohet skajshmërisht, e kur ndodh kjo e fundit, trazirat sociale janë të pashmangshme.

(Autori është anëtarë i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, qendra në Gjilan)

Exit mobile version