Qeveria e Kosovës është deklaruar të mërkurën lidhur me reagimin e Ambasadës Amerikane për çështjen e Demarkacionit dhe raportimit të Komisionit aktual Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror.
Në lidhje me reagimin nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara për raportimin e Komisionit të ri shtetëror për kufirin mes Kosovës dhe Malit të Zi, Zyra për informim nga Qeveria e Republikës së Kosovës në një përgjigje dhënë Telegrafit kanë thënë se i kuptojnë shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë për këtë çështje.
Sipas Qeverisë së Kosovës, Komisioni për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror pritet së shpejti të prezantojë një raport me gjetjet e tij.
“I kuptojmë shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë për këtë çështje dhe njëkohësisht konsiderojmë se adresimi i çështjes së demarkacionit prej nisjes së punës së Qeverisë Haradinaj është bërë me qëllim të zgjidhjes së kësaj çështjeje. Komisioni për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror pritet së shpejti të prezantojë një raport me gjetjet e tij dhe i njëjti pasi të vlerësohet e analizohet do të procedohet më tutje për ta përmbyllur procesin”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës nga zyra për informim dhënë Telegrafit. /Telegrafi/