Site icon Telegrafi

Qeveria e konfirmon zbatimin e marrëveshjes për sigurime

Edhe qeveria e Kosovës ka konfirmuar se nga mesnata e 12 gushtit ka filluar zbatimi i Memorandumit të Mirëkuptimit për Njohjen e Reciproke të Sigurimeve të Automjeteve, të nënshkruar në Bruksel më 23 qershor 2015 në prani të kryeministrave të Republikës së Kosovës dhe Serbisë si dhe Përfaqësueses së lartë të BE-së.

Ministrja për Dialogun, Edita Tahiri, duke përshëndetur hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshje, e ka falënderuar Grupin Punues për punën e palodhshme në arritjen e kësaj marrëveshje, me theks të veçantë në rolin e patjetërsueshëm të Bankës Qendrore të Kosovës si autoritet rregullativ i sektorit të sigurimeve, po ashtu Byronë Kosovare të Sigurimeve për zbatimin e saj dhe udhëheqësin e grupit teknik Rrahim Pacollin.

“Kjo marrëveshje mundëson lirinë e lëvizjes së qytetarëve të të dyja vendeve me mjetet motorike të regjistruara në njërën nga shtetet, Kosovë ose Serbi, e që posedojnë sigurim valid për territorin e palës tjetër. Me njohjen e policave të sigurimeve të automjeteve të lëshuara nga autoritetet respektive të Republikës së Kosovës, mundësohet liria e lëvizjes me çmime shumë më të lira”, ka njoftuar Qeveria e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media.

Të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që udhëtojnë në dhe nëpërmjet territorit të Serbisë janë të obliguar që të kenë në posedim të tyre përveç sigurimit/policës bazë për automjetet e tyre edhe MTPL Plus.

Byroja Kosovare e Sigurimeve dhe Policia e Kosovës kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e rregullt dhe të përpiktë të kësaj marrëveshje.

Qeveria i fton qytetarët që të raportojnë pranë institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës për çdo parregullsi eventuale që mund ta hasin gjatë zbatimit të marrëveshjes, me qëllim të identifikimit dhe eliminimit të tyre. /Telegrafi/

Exit mobile version