Qeveria e Athinës nuk ndryshon pozicionin e saj pas vendimit të Bankës Qendrore Europiane për të ndërprerë asistencën ndaj bankave greke duke filluar që prej datës 11 Shkurt.
Nëpërmjet një njoftimi të publikuar nga ministria greke e Financave, theksohet fakti se Qeveria e Greqisë mbetet e vendosur në objektivin e programit të saj të shpëtimit të miratuar nga vota e popullit grek.
Synimi i kësaj qeverie është lëvizja drejt një politike europiane e cila do t`i japë fund përfundimisht krizës ekonomiko-shoqërore të popullit grek. Mediat ndërkombëtare ndërkohë, bëjnë me dije se zëra brenda Bankës Qendrore të Greqisë njoftojnë se asistenca e likuditetit nëpërmjet fondit ELA, do të vazhdojë t`i mundësohet bankave greke.
Në njoftimin e publikuar nga ministria greke e Financave citohet fakti se vendimi i Bankës Qendrore Europiane (BQE), i cili i heq bankave vendase mundësinë për të marrë financime në këmbim të titujve, nuk do të ketë asnjë impakt negativ në sektorin financiar të vendit.
Ky sektor sipas Qeverisë greke, mbetet tërësisht i mbrojtur, falë programit të emergjencave të Bankës Qendrore Greke.
Ndërkohë, zëdhënësi i Qeverisë greke, u shpreh se Athina nuk bën shantazhe dhe nuk pranon që t`i bëhen. “Likuiditeti dhe siguria e sistemit bankar janë të mbrojtura dhe nuk ka aspak vend për panik. Lëvizja e Frankfurtit është thjesht një mjet presioni politik”, tha zëdhënësi i Qeverisë. /Telegrafi/