Rritja e numrit të ministrive, e më pas edhe rritja enorme e numrit të zëvendësministrave, dy muajt e fundit është bërë objekt debati në shoqërinë kosovare.
Për aq sa kritikohet ky veprim i kryeministrit Ramush Haradinaj, shumë më tepër emërimet e tij janë kthyer në objekt talljeje, shkruan AktivPress.
Por kush do ta besonte se në një qeveri kaq gjigante nuk ka zërë vend asnjë llapjanë. Mungesën e tyre e ka vërejtur njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, i cili vije nga ky rajon.
Me anë të një statusi në Facebook, ai e ka cilësuar për keqardhje këtë “linçim apo dënim” të bashkëvendësve të tij.
“Pasi në qeverinë Haradinaj kemi 20 ministra dhe sot arriti ne 59 numri i zv. Ministrave, më bëri përshtypje se as një nga këta nuk janë Llapjanë. A është linçim apo dënim, këtë do ta tregoi koha por diçka nuk po funksionon dhe për këtë duhet mire të mendojnë Llapianët kur të votojnë” (sic.), ka shkruar Islami.
“Jam kundër lokalizimit dhe krahinave por nëse vërtet nuk ka as një përfaqësues në qeverinë e tanishme kjo është për keqardhje dhe tendencioze, ka shtuar ai.
Qeveria Haradinaj, pos me llapjanët është treguar edhe aq e interesuar për emërimin e femrave në pozitat ekzekutive.
AktivPress mëson se prej 59 zëvendësministrave, në mesin e tyre janë vetëm katër gra.
Një hulumtim i “Institutit GAP”, që flet për punësimin dhe përfaqësimin e grave në Kosovë, tregon se në Qeverinë e Kosovës 94 për qind e të punësuarve janë meshkuj dhe vetëm 6 për qind janë gra.
Megjithatë, zyra e kryeministrit ka konfirmuar se emërimi i zëvendësministrave nuk ka përfunduar dhe se priten emërime të reja.
Kjo i shton gjasat që në Qeveri të ketë edhe ndonjë llapjanë dhe pak më shumë gra vendimmarrëse. /AktivPress/