Site icon Telegrafi

Qeveria e Banka Botërore garantuese për Kosovën e Re

Banka Botërore (BB) dhe Qeveria e Kosovës, do të jenë garantuese të aspekteve financiare e mjedisore të projektit për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, u tha në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, ku Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci raportoi për këtë projekt.

Në Komision nuk morën pjesë anëtarët e opozitës, përderisa kishte një debat në mes të deputetëve të LDK-së e PDK-së pas akuzave për korrupsion.
Në përgjithësi të gjithë të pranishmit u pajtuan me marrëveshjen e arritur në mes të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe kompanisë Contour Global për ndërtimin e termocentralit. Kurse kryetari i Komisioni Muhamet Mustafa, u shpreh i kënaqur me përfshirjen e Bankës Botërore në këtë projekt.

“Tash e kemi Bankën Botërore këtu që kemi garanc për aspektet mjedisore, kemi garanc për rregullsinë e aspekteve financiare edhe të tenderëve që kanë me u ndërtua. Natyrisht do të jetë edhe qeveria, kështu që edhe investitori i angazhuar do të jetë i monitoruar në realizimin e projekteve”, theksoi Mustafa

Edhe pse kishte pajtueshmëri për të ardhmen, për të kaluarën lindën disa mospajtime. Së pari ishte anëtari i LDK-së Fatmir Rexhepi i cili kritikoi uljen e kapaciteteve.

Mëpastaj anëtari tjetër i LDK-së Blerim Grainca tha se në 15 vitet e fundit në Kosovë janë bërë me qindra milionë euro investime në KEK dhe gjithmonë ka pasur mungesë të energjisë elektrike.

Grainca pretendon se keqpërdorimet janë bërë për interesa të grupeve të caktuara si dhe për interes të importuesve, përkatësisht tregtarëve të energjisë elektrike në rajon e më gjerë. “Askush në këtë vend nuk ka dhënë përgjegjësi për ato para publike që janë investuar në KEK, për ato keqpërdorime të donacioneve që janë bërë aty, edhe me i mbyll sytë para një situate alarmante që ka ndodhë edhe me shumë gjasa me një korrupsion që ka dominua aty”, theksoi Grainca, raporton Radio Kosova.

Kurse ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj reagoi duke thënë se për çfarëdo lloj keqpërdorimi të parasë publike, deputetët e kanë obligim ligjor që këto gjëra ti procedojnë në prokurori.

“Ne nuk jemi korrekt me qytetarin e as me veten, nëse dimë diçka sepse do të bëhemi bashkë-pjesëmarrës të atij aktiviteti nëse kemi informacione, dhe kemi argumente e nuk e tregojmë. Pra po them publikisht, që nëse çdo kush nga ne, ka argumente, e kemi obligim ligjor dhe mund të ndiqemi penalisht nëse nuk tregojmë, tha Beqaj.

Ndryshe, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha se pas një apo dy javësh, do të formalizohen procedurat që mundësojnë nënshkrimin e marrëveshjes me kompaninë Contour Global. /Telegrafi/

Exit mobile version