Ende nuk ka ardhur një vendim i qeverisë australiane në lidhje me tenistin serb Novak Djokovic, nëse tenisti do të luajë në “Australian Open” apo jo.
Sportisti serb fitoi dje betejën në gjykatë, që i dha të drejtë të luajë në Grand Slamin, që nis më 17 janar, edhe pse i pavaksinuar.
Gjithsesi, Ministria e Emigracionit ka apeluar vendimin dhe ka fjalën e fundit, teksa mund të anulojë lejen e qëndrimit dhe të kthejë mbrapsht tenistin për në Serbi.
Vendimi i qeverisë ishte planifikuar për sot, por mësohet se është shtyrë për të mërkurën. Nga ana tjetër, mediat australiane bëjnë me dije se Djokovic po hetohet për deklaratë të rreme.
Në aeroport, i pyetur nëse ka lëvizur në vende të tjera teksa ka qenë i infektuar, tenisti ka thënë jo.
Ndërkohë që, pas infektimit me COVID-19 më 16 dhjetor, ai ka qenë i pranishëm në disa evente dhe nuk ka kryer karantinën e detyruar.
Për pasojë, ai po hetohet për deklaratë të rreme në kufi. Djokovic qëndroi për stërvitje në Spanjë, nga ku u nis më pas për Australi. /Telegrafi/