Qeveria e Republikës së Kosovës ka dërguar në Kuvendin e Kosovës, përkatësisht në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit Strategjinë shtetërore kundër Korrupsionit 2018-2022 dhe Planin e Veprimit.
Lajmin e konfirmoi për Telegrafin zëdhënësja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Donjeta Gashi.
Gashi tha se Strategjia Kundër Korrupsion është dërguar në Kuvendin e Republikës së Kosovës në mënyrë të rregullt.
“Është dërguar me procedurë të rregullt. Kur kalon diçka në qeveri, Sekretariati e dërgon në Kuvend”, ka thënë Gashi.
Ndryshe, deputetja dhe kryetarja e këtij Komisioni, Albulena Haxhiu të martën kishte thënë se skandalet dhe shkeljet e Qeverisë Haradinaj nuk kanë të ndalur.
Ajo është shprehur se Qeveria e ka miratuar Strategjinë kundër korrupsionit, duke e bërë të “plotfuqishme”, por pa e miratuar Kuvendi i Kosovës dhe kjo sipas saj është jo e ligjshme dhe duhet dhënë përgjegjësi.
Ndërkaq, Telegrafi mëson se Strategjia Shtetërore Kundër Korrupsionit 2018-2022 dhe Planin e Veprimit do të shqyrtohet më 29 maj (e martë), në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit. /Telegrafi/