Site icon Telegrafi

Qeveria daneze do të blejë të dhënat e “Panama Papers” – flitet edhe për çmimin!

Qeveria në Danimarkë do të blejë të dhënat e zotëruara nga firma ligjore që i dha jetë skandalit të njohur si “Panama Papers”. Lajmin e ka bërë të ditur ministri danez i Taksimit, Karsten Lauritzen.

Një ofertë anonime për të shitur të dhënat që përfshijnë deri në 600 shtetas danezë u bë tek autoritetet e këtij vendi gjatë sezonit të verës, saktësoi ministri. “Këtë e kemi një detyrim ndaj qytetarëve që paguajnë rregullisht taksat”, tha Lauritzen.

Vendimi u kritikua ashpër nga segmente të caktuara politike. Zëdhënësi i një prej partive të opozitës e cilësoi atë si “thellësisht të dënueshëm”.

Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar mendohet se kanë paguar për të siguruar të dhëna mbi klientët e bankave “offshore” në të kaluarën, por kjo mund të jetë hera e parë që një qeveri njofton zyrtarisht synimin për të blerë dokumentet e kompanisë “Mossack Fonseca”.

Rreth 11.5 milionë dokumente u publikuan më herët gjatë vitit nga firma në mediat ndërkombëtare, duke treguar një evazion të përmasave të frikshme në parajsat fiskale.

Ministri Lauritzen nuk bëri të ditur shumën e saktë që do të paguhet, por mendohet që ajo të jetë 9 milionë kroner, ose 1.2 milion. /TCH/

Exit mobile version