Pas shkarkimeve të anëtarëve nëpër bordet e ndërmarrjeve publike nga ana e Qeverisë së Kosovës, dhe zëvendësimit me anëtarë të rinj, disa prej tyre edhe anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, sot gjatë ditës ka pasur reagime të shumta nga shoqëria civile dhe nga partia më e madhe opozitare.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, janë arsyetuar se këtë borde me anëtarë të rinj, janë të përkohshme dhe për këtë arsye nuk janë ndjekur procedurat e përzgjedhjes me konkurs.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu thotë për KP se këto borde të sapoemëruara janë borde të përkohshme dhe duke qenë të atilla, anëtarët e këtyre bordeve emërohen e nuk zgjidhën me konkurs të hapur.
Kryeziu thotë se të gjithë anëtarë e sapoemëruar pa asnjë dallim dhe pa asnjë përjashtim janë persona të përgatitur profesionalisht me përvojë të bujshme dhe përgatitje përkatëse për rolin e tyre në kuadër të këtyre bordeve.
“Ideja dhe logjika e këtyre vendimeve ka qenë që këto janë emërime para konkursit të rregullt, me ç ‘rast qeveria e Kosovës tashmë ka premtuar një gjë e tillë do të ndodhë në më pak se gjashtë muaj, apo brenda gjashtë muajve, kur do të ketë një konkurs transparent dhe të hapur për përzgjedhjen e anëtarëve të këtyre bordeve. Personat të cilët janë emëruar në këto pozita janë persona të cilët ne besojmë kanë integritet të lartë, profesional e personal. Ndaj, të cilëve qeveria ka shprehur një besim… dhe të sigurohuni se veprimtaria e tyre është në përputhje me qëllimet themeltare të emërimit të tyre, e ai qëllim është ndalja e gjakderdhjes financiare, të paktën ka qenë ev idente në këto borde”, thotë Kryeziu.
Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas emërimeve të fundit në bordet e ndërmarrjeve publike, duke i quajtur ato vendime politike të qeverisë në ikje, e cila nuk ka legjitimitet.
Nënkryetari i PDK-së, Shaqir Totaj tha se shkarkimet dhe emërimet në borde janë dëshmi e qartë e përpjekjes së kryeministrit të shkarkuar për të kapur shtetin.
“Shkarkimet e bordeve të ndërmarrjeve publike, në mënyrë arbitrare, pa ndjekur asnjë procedurë paraprake ligjore, janë provë e dyfytyrësisë së kryeministrit në ikje që në pushtet ka ardhur me premtimin e forcimit të sundimit të ligjit. Partia Demokratike e Kosovës deklaron se këto veprime e çojnë vendin prapa duke rrënuar përpjekjet e deritanishme për tà « ndërtuar borde sa më profesionale që shmangin punësimin e militantëve partiakë. Kujtojmë këtu se kryetari i partisë sonë Veseli, nëpërmjet një memorandumi të nënshkruar me Ambasadën britanike në Kosovë, ka përfshirë një kompani profesionale angleze për të ndihmuar në rekrutime sa më profesionale e meritokratike në bordet e ndërmarrjeve publike”, tha Totaj.
Po ashtu edhe KDI-ja është e shqetësuar për emërimin e ish-kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje në borde publike dhe kërkon që urgjentisht të ndalet kjo praktikë.
“KDI po ndjek më shumë shqetësim veprimet e Qeverisë në detyrë, e cila në kohë të pandemisë COVID 19po vazhdon me shkarkimin e bordeve ekzistuese të ndërmarrjeve për t’i zëvendësuar ato me njerëz të subjektit të tyre. Vendosja e figurave që më parë ishin kandidatë për subjektin politik Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit, është në kundërshtim me ligjet e këtyre ndërmarrjeve publike dhe në kundërshtim me premtimin kryesor që bordet do të ç’kapen nga politika e do të jenë profesionale, të pavarura dhe me integritet”, thuhet në reagimin e KDI-së.
Sipas këtij Instituti, Qeveria në detyrë urgjentisht duhet ta ndaloj një praktikë të tillë, ndërsa procesit të rekrutimit duhet t’i parapri shpallja e konkurseve publike në mënyra që në këto borde të rekrutohen njerëz me kredibilitet, integritet e profesionalizëm.
Kujtojmë, se Qeveria në dorëheqje në mbledhjen e fundit ka emëruar bordet e reja të ndërmarrjeve publike. Atë të KRU “Ujësjellësit”, të Postës së Kosovës, InfraKos-it
Anëtarë të Bordit të Përkohshëm të Ndërmarrjes KRU Ujësjellësit Prishtina, janë: Mentor Hyseni, kryesues dhe drejtor; Hajrie Morina, drejtore; Seat Bilbani, drejtor; dhe Idriz Maliqi, drejtor.
Edhe vendimi për shkarkimin e Bordit të Drejtorëve dhe emërimin e Bordit t ë Përkohshëm të Drejtorëve të ndërmarrjes publike qendrore “Posta e Kosovës” Sh.A., është aprovuar nga kabineti qeveritar.
Anëtarë të Bordit të Përkohshëm të Ndërmarrjes janë emëruar: Mentor Arifaj, kryesues dhe drejtor;Kujtim Shala, drejtor; Sajmie Thaçi, drejtore; dhe Blerton Abazi, drejtor.
Miratimin nga kabineti qeveritar e ka marr edhe Vendimi për emërimin e Bordit të Përkohshëm të ndërmarrjes publike qendrore “Hekurudhat e Kosovës – Infrakos” Sh.A. , në këtë përbërje:Enis Berisha, kryesues dhe drejtor; Vjollca Jashari, drejtore; Artan Dermaku, drejtor; dhe Abdullah Lala, drejtor.