Ka dështuar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-261 për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pasi nuk kishte kuorum të mjaftueshëm për mbajtjen e saj.
Kryeparlamentari Kadri Veseli, pasi ka përshëndetur përfaqësuesit e shoqatave të luftës së UÇK-së, theksoi se pozita nuk ka mundësi me rritë kuorumin. Veseli për ata deputet që munguan sonte kërkoi heqjen e mëditjeve për ditën e sotme.
“Të nderuar kolegë deputetë, nëse nuk arrimë t’i kemi 61 deputet brenda dhjetë minutave, do ta bartim seancën për ditën e nesërme. Ka propozim konkret nga kolegë deputetë: mëditjet e ditës së sotme të largohen, nëse nuk arrihet të mblidhen 60 deputetë sot. Është penalltia e dytë në këtë muaj për t’ju larguar mëditjet. I përshëndes përfaqësuesit e shoqatave ta dala nga lufta, të cilët janë duke e përcjell këtë seancë. Më vjen keq që, siç po e shohin edhe ata, nuk ka gatishmëri të kolegëve të kthehen në sallë nga opozita, e pozita nuk ka mundësi të arrijë kuorumin”, theksoi Veseli.
Qeveria e Kosovës sot kishte miratuar Projektligjin për veteranët me shtimin e nenit 6, i cili parasheh përshkallëzimin e pensioneve prej 250, 170 dhe 120 euro. Po ashtu, për nenin 6 thuhet se në rast se buxheti nuk është i mjaftueshëm për mbulimin e pensioneve prej 120 eurove, kategoria e tretë do t’i nënshtrohet vlerësimit në përputhje me buxhetin e paraparë. /KP/