Telegrafi

Qeshja redukton zemërimin dhe agresivitetin tek personat e dhunshëm

Shkencëtari Marcus Munafo dhe ekipi i tij kanë kryer një varg eksperimentesh për të dëshmuar që e qeshura në të vërtetë mund të reduktojë zemërimin tek njerëzit e prirë ndaj agresivitetit dhe dhunës.

Pjesëmarrësit në hulumtim të moshës prej 18 deri 30 vjet, në mes të cilëve ka pasur edhe kryerës të veprave penale, kanë pasur detyrën të shikojnë fotografitë e njerëzve dhe të shpjegojnë atë se çfarë shohin në fytyrën e tyre – lumturi, hidhërim, zemërim, trishtim.

Hulumtimi ka treguar që njerëzit agresivë shpesh buzëqeshjen prej zemrës e marrin si nënqeshje dhe shkencëtarët konsiderojnë që do të kishte më pak konflikte nëse do të parandalohej keqinterpretimi i tillë.

Gjatë hulumtimit është përcjellë aktiviteti trunor i vullnetarëve, kanë folur me psikologët, ndërsa u janë dhënë fotografitë e njerëzve të buzëqeshur për t’u vlerësuar se sa janë agresivë në momentin kur shikojnë njerëzit e lumtur dhe të buzëqeshur.

"Rezultatet e hulumtimit tregojnë që shprehja faciale e njerëzve në mjedis luan rol të madh në zhvillimin e zemërimit ose në nxitjen e sjelljes agresive tek individët", ka thënë Munafo duke theksuar që truri njerëzor vëren të gjitha "nuancat" e qeshjes dhe kështu mund të vlerësojë nëse bëhet fjalë për qeshje të vërtetë apo nënqeshje.

Megjithatë, njerëzit agresivë ndonjëherë edhe shprehjen neutrale të fytyrës e kuptojnë si armiqësore, prandaj nga njerëzit e tillë shpesh mund të dëgjoni fjalinë – "çka po më shikon"? /Telegrafi/