Telegrafi

Qerkini: Publikimi i emrave nga Specialja të viktimave që pretendohet se janë vrarë dhe zhdukur, nuk nënkupton që të akuzuarit janë përgjegjës

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një version publik më pak të redaktuar të aktakuzës së ndryshuar në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ku bëhen të ditur emrat e disa nga viktimat që pretendohen se janë vrarë dhe disa të tjerëve që pretendohen se janë zhdukur me forcë.

Lidhur me publikimin e emrave të viktimave, avokati Artan Qerkini ka thënë për Telegrafin se kjo nuk nënkupton që të akuzuarit janë përgjegjës për vrasjen apo zhdukjen e tyre.

“Publikimi i emrave nuk do të thotë se ata që janë të akuzuar janë përgjegjës për zhdukjen apo vrasjen e tyre. Është çështje e Prokurorisë”, ka thënë Qerkini.

Ai ka shtuar se në shikim të parë ky veprim i Prokurorisë së Speciales është kontradiktor.

“Me këtë publikim po vihet në pah kundërthënia në mes qëndrimeve të Prokurorisë, sepse në njërën anë ata vazhdimisht kanë kërkuar që emrat e personave të dëmtuar të fshihen për shkak të ndikimit në dëshmitarë e në anën tjetër po i publikojnë emrat”, tha Qerkini.

Lexo po ashtu Specialja publikon emrat e dhjetëra personave që pretendohet se janë vrarë dhe zhdukur në rastin Thaçi dhe të tjerët (Dokument)

Në Komunën e Drenasit, si viktima të vrasjes përmenden: Emin Emini, Ibush Hamza, Hyzri Hajrizi, Shaban Hoti, Safet Hysenaj, Bashkim Rashiti, Lutfi Xhemshiti, Shyqyri Zymeri dhe Hasan Hoxha. Tutje, përmendet edhe Ajet Gashi.

Në Komunën e Lipjanit, si viktima të vrasjes përmenden: Bojan Cvetkoviq, Zarko Filipoviq, Dragoljub Tanaskoviq, Zivota Todoroviq, Dragan Vuçetiviq.

Kurse, në Komunën e Podujevës si viktimë përmedet Osman Sinani, derisa në Komunën e Rahovecit përmendet Cvetko Pleviq, e po ashtu edhe Hysen Krasniqi. Në Suharekë, si viktima përmenden Latife Kololli dhe Rrushe Kololli.

Si viktima të zhdukjes me forcë në Ferizaj përmenden: Rrahim Elezi, Riza Kiki, Faik Reci dhe Nezir Topojani. Kurse, në Suharekë, përmenden Latife Kololli dhe Rrushe Kololli. Ndërsa, në Gjakovë përmendet Pal Krasniqi. /Telegrafi/