Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, ka thënë në Ora e Fundit në Klan Kosova se vizitat e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, tek memorialët serbë janë të padrejta dhe të pashpjegueshme.
“Ka vende të cilat janë vrarë luftëtarë të UÇK-së, por asnjëherë nuk janë vizituar. Nuk kanë gjetur kohë asnjëherë as për të vendosur një pllakë”, ka thënë Qeriqi.
Ai ka folur edhe për fondin që është ndarë nga Qeveria e Kosovës për trajtimin e veteranëve invalidë.
“30 mijë euro janë hajgare”, ka deklaruar Qeriqi.
“Kërkesat janë më të mëdha, është dashur të ndahen më shumë, dhe qeveria ka pasur mjete për të ndarë më shumë. Derisa bordeve të ndryshme iu japin duhet edhe për këto kategori të ndahen më shumë. Pesë mijë euro mesatarisht është për një operim”.
Ai ka thënë se vet është invalid i luftës dhe ka pasur rastin të dalë në një vend jashtë Kosovës për t’u shëruar, por asnjëherë nuk ka dashur.
“Nuk kam dashur të dal azil, sepse duhet të flas keq për vendin tim që të marrë leje-qëndrimi dhe këtë nuk mund ta bëj”.
Ai ka thënë se as pagat e caktuar për veteranë nuk janë të mjaftueshme, edhe pse e kanë zbutur pak situatën.
“Gjendja është zbutur pak, por përsëri është e rëndë, parat nuk mjaftojnë, duhet të paktën 300 euro për një jetë modeste”.