Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se Presidenti, Kryeministri dhe deputetët ose duhet t’ua japin përgjegjësinë komunave në lidhje me zgjidhjen e problemit të qenve endacakë, ose të shpallin gjendje emergjente për të trajtuar situatën.
Këtë reagim, Ahmeti e bëri pasi gjatë ditës së sotme u raportua se qentë endacakë kanë sulmuar një grua shtatzënë në Prishtinë.
Ahmeti ka thënë se situata me qentë endacak është alarmante në çdo Komunë të Republikës së Kosovës.
“Z. President, Z. Kryeministër, Deputetë. Ose na jepni përgjegjësinë Komunave, përgjegjësinë e plotë ose shpallni gjendjen emergjente për ta trajtuar situatën! Kur të kemi viktima, mos të vajtojmë”, shkruan Ahmeti.
I pari i Prishtinës, thekson se Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit ka marrë buxhet 1.3 milion euro për të zgjidhur këtë çështje, ose situata do të jetë edhe më e keqe.
“Edhe njëherë javën e kaluar të gjitha Komunat përmes Asociacionit në takim urgjent me AVUK kërkuam strategji emergjente për dalje nga kriza por hasëm në vesh të shurdhër thua se është thjeshtë çështje administrative. AVUK ka marr buxhet 1.3 milion euro për krejt Kosovën për këtë çështje por sot jemi më keq se që kemi qenë. Ligji kërkon që qentë endacak të trajtohen dhe të KTHEHEN në rrugë. Vetëm veterinari i certifikuar mund të vendos për eutanazimin e qenit dhe vetëm në qoftë se është i sëmurë. Përkundër qindra mijëra eurove të shpenzuara edhe nga Komuna kjo çështje nuk mund të zgjidhet nga komunat veç e veç. Kjo kërkon strategji gjithëpërfshirëse dhe hapa emergjent tani”, shkruan Ahmeti. /Telegrafi/